0030 210 33 18 483

Tërmeti në Lesvos çfarë thonë sizmologët

Tribuna 13 Qershor 2017

Sizmologët grekë po monitorojnë me interes të veçantë ecurinë e zhvillimeve metasizmike, që pasojnë tërmetin me magnitudë 6,1 gradë, në ishullin e Lesvos. E vetmja gjë e sigurt është se si pasojë e tërmetit është rritur distanca midis dy ishujve fqinj, Lesvos dhe Hios. Normalisht të dy ishujt largohen nga njeri-tjetri çdo vit me nga një centimetër. Siç i ka deklaruar gazetës Ta Nea drejtori i Institutit Gjeodinamik të Athinës, Aris Tselentis, “zona karakterizohet nga struktura të mëdha tektonike aktive, të cilat mund të japin tërmete me magnitudë të njëjtë apo edhe më të madhe”. “Tërmeti i djeshëm (i të hënës) ishte i fuqishëm, por i zakonshëm për standardet greke”, shton pedagogu i gjeofizikës në Universitetin Aristoteli të Selanikut, Kostas Papazahos. Deri në orët e vona të mbrëmjes së të hënës ishin regjistruar 90 lëkundje metasizmike në zonë, me magnitudë deri në 5 gradë. Ky aktivitet i pasur sizmik i bën sizmologët optimistë, se fenomeni po shkon drejt rënies. Mirëpo konsiderojnë se është ende herët për të konkluduar nëse tërmeti i së hënës ishte kryaesori dhe nuk pritet ndonjë tjetër po kaq, apo edhe më i fuqishëm. “Personalisht, nuk shqetësohem dhe aq shumë për aktivitetin metasizmik, por që të fillojë sa më shpejt procesi i riparimit të dëmeve që janë shkaktuar. Njerëzit duhet të rigjejnë ritmet e tyre”, ka theksuar një tjetër sizmolog i njohur, Efthimios lekkas, njëherazi drejtor i institutit të mbrojtjes anti sizmike. Sa i përket aktivitetit metasizmik, Lekkas vlerëson se do të vazhdojë “dhe kjo është e mirë, që të çlirohet gradualisht energjia që ekziston përgjatë të çarës tektonike”. “Do të kemi një aktivitet të pasur metasizmik, që do të përmbajë edhe lëkundje me magnitudë deri 5,5 gradë, por ky zhvillim nuk duhet të na shqetësojë, pse sa më shumë lëkundje të fuqishme metasizmike, aq më shpejt do të çaktivizohet energjia”, tha Lekkas.

Ndaje me miqte