Terrorizmi godet në zemër të Europës. 34 të vdekur në Bruksel
22 Mars 2016
Të paktën 34 të vdekur, nga të cilët 20 në stacionin e metrosë Maelbeek dhe 14 në aeroport, dhe 198të plagosur, është bilanci më i fundit i sulmeve terroriste që u shënuan paraditen e të martës 22 mars, në kryeqytetin belg, Bruksel.
Sipas autoriteteve belge, të gjitha sulmet u realizuan nga kamikaze.
Dy shpërthimet në në sallën e nisjeve të aeroportit ndërkombëtar të Brukselit “Zaventem”, “shkaktuan një panik të përgjithshëm në të gjitha nivelet”, sipas një dëshmitari okular, që i deklaroi agjencisë franceze të lajmeve (AFP) se një burrë thirri në arabisht para se të ndoshte shpërthimi i parë.
“Një zotëri thirri diçka në arabisht. Tha disa fjalë dhe dëgjova një shpërthim të fuqishëm”, tha Alfons Liura, punonjës i aeroportit, që ndodhej pesë metra larg vendit të ngjarjes.
“Ndihmova gjashtë- shtatë persona. U fsheha dhe prita 5-6 minuta, por njerëzit vinin drejt meje dhe kërkonin ndihmë”, tha punonjësi, duke shtuar se koha ndërmjet dy shpërthimeve nuk ishte as dy minuta.
“Shumë prej njerëzve kanë humbur këmbët... Eshtë me të vërtetë një tmerr, është diçka që belgjika nuk e meriton”, deklaroi duke shpërthyer në lotë Alfons Liura, që punon në sektorin e bagazheve për fluturimit drejt Afrikës.
“Më vjen keq, ishte një zotëri që humbi të dy këmbët... Një polici njera këmbë i ishte thërrmuar”.
Para shpërthimeve pati të shtëna me armë, sipas mediave belge.
Stacioni i metrosë Maelbeek, ku u sulmi tjetër vrastar, ndodhet pranë institucioneve të Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian, që është krahu ekzekutiv i BE-së, ka kërkuar nga punonjësit që most ë dalin jashtë godinës së KE-së, apo të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Të gjitha takimet në institucionet e BE-së janë anuluar.
Një pako e dyshimtë u gjet edhe në pallatin mbretëror në Bruksel. Pakoja është hedhur në erë me shpërthim të telekomanduar nga ekspertë të policisë. Të dhënat për viktimat dhe për numrin e shpërthimeve janë konfirmuar nga prokurori federal belg Frederik van Leo, i cili tha se 5 persona janë shpallur në kërkim për këto si pjesëmarrës e bashkëpunëtorë në këto sulme.
Nga të dhënat më të fundit mësohet se një kallashnikov dhe një eksploziv i pashpërthyer janë gjetur në aeroportin ku ndodhën shpërthimet e mëngjesit. Ndërsa Universiteti i Brukselit është evakuuar për shkak të alarmit për praninë e lëndëve shpërthyese.
Ministria e brendshme e Belgjikës e rriti në shkallën maksimale, 4, nivelin e gatishmërisë për sigurinë në të gjithë vendin.
Paralelisht, autoritetet e aeroportit të belgjikës urdhëruan pezullimin e gjithë fëluturimeve dhe evakuuan gjithë zonën përreth. “Mos të vini në aeroport, aeroporti po evakuohet. Shmangiuni zonës së aeroportit. Fluturimet janë anulluar”, shkruhej në llogarinë Twitter të aeoportit “Zaventem”.
Në këtë aeroport qarkullojnë më shumë se 23 milionë pasagjerë në vit.
Kryeministri belg Charles Michel tha se ndodhi ajo së cilës i trembeshin autoritetet. Duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel, zoti Michel tha se janë forcuar kontrollet kufitare dhe se ekziston shqetësimi se mund të ketë edhe sulme të tjera:
"Ne e kuptojmë se përballemi me një moment tragjik. Në këtë çast të errët për vendin tonë, tani më shumë se kurrë dua t’u bëj thirrje të gjithëve të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë solidaritet. Ne ndodhemi para një sfide të vështirë dhe duhet ta përballojmë atë duke qëndruar të bashkuar dhe duke treguar solidaritet."
Ai tha se autoritetet do të vazhdojnë të ndjekin minutë pas minute gjendjen me shërbimet e ndryshme të sigurisë dhe të emergjencës.
Sulmet vijnë vetëm pak ditë pas arrestimit të Salah Abdeslamit, terroristit 26-vjeçar, të vetmit të mbijetuar pjesëmarrës në sulmet e 13 nëntorit në Paris ku humbën jetën 130 persona. Të hënën ministri belg i Brendshëm Zhan Zhambon kishte paralajmëruar se vendi është në rrezik nga sulmet terroriste, që mund të vijnë si hakmarrje ndaj operacioneve antiterror të ditëve të fundit, që u kurorëzuan me kapjen e Abdeslam.
Tribuna
Ndaje me miqte