0030 210 33 18 483

Thirrje qeverisë greke: Periudha zgjedhore mos të paralizojë zbatimin e dispozitave të reja për emigrantët

24 Gusht 2015

Dihet tashmë se në Greqi, gjatë periudhave zgjedhore paralizohen shumë prej strukturave të administratës. Një paralizë që zgjat edhe disa kohë pas zgjedhjeve. E nga ky fenomen nuk pritet të përbëjë përjashtim edhe periudha aktuale, kur sipas të gjitha gjasave do të kemi zgjedhje të parakohshme, ndoshta më 20 ose 27 shtator. Mirëpo kësaj here emigrantët shqiptarë i kanë bërë thirrje qeverisë që zhvillimet e tanishme politike mos të influencojnë punën për zbatimin e dispozitave të reja, që u votuan në fillim të korrikut dhe pritet të fillojë zbatimi i tyre gjatë shtatorit. Organizata “Arogji” - “Përkrahja”, që një ndjeshmëri karakteristike për çështjet që preokupojnë jo vetëm bashkatdhetarët, por gjithë komunitetin e emigrantëve në Greqi, i ka dorëzuar një letër ministres së politikës së emigracionit, Tasia Christodoulopoulou, ku tërheq vëmendjen pikërisht për këtë problem. “Sot, ku Greqia ndodhet sërish në një kurs elektoral, kërkojmë që fushata zgjedhore të mos influencojë funksionimin normal të procesit të zbatimit të dispozitave të reja për emigracionin”, që u votuan muajin e kaluar, theksohet në letrën e firmosur prej Fatos Malajt, drejtues i organizatës “Arogji”. Në letër gjithashtu tërhiqet vëmendja edhe për një sërë zvarritjesh në zbatimin e procesit, duke theksuar se përbën emergjencë nxjerrja e qarkoreve përkatëse për zbatimin e ligjit të nënshtetësisë, apo firmosja edhe nga ministri i jashtëm i urdhërit ministror mbi ndryshimet në Kodin e Emigracionit që u votua në qershor 2014. Menjëherë pas marrjes se letrës, e cila edhe u protokollua zyrtarisht, ministrja e politikës të emigracionit ka thirrur në një takim zotin Malaj, ku ndër të tjera e ka informuar se letra u është dërguar gjithë shërbimeve të emigracionit në periferi, me porosinë që të kihet parasysh dhe të mos frenohet procesi për shkak të fushatës zgjedhore. E gjithë letra dërguar ministres së politikës së emigracionit ka si më poshtë: “Ministres alternate të politikës së Emigracionit, Zj. Tasia Christodoulopoulou E nderuar Zonja Ministre, Trajtimi i problemit të emigracionit ka qenë një nga pikat më pozitive të qeverisë Tsipras. Dhe kontributi juaj në gjithë këtë arritje është i padiskutueshëmn, ndërsa nuk mbetet jashtë vëmendjes edhe fakti se ligji për nënshtetësinë u votua në periudhën ndoshta në të vështirë për Greqinë, menjëherë pas referendumit të 5 korrikut. Dhe kjo besojmë se është një shenjë që dëshmon vendosmërinë dhe përkushtimin e SYRIZA-s ndaj çështjes së emigracionit në përgjithësi. Kësaj vendosmërie dhe përkushtimi duam t’i referohemi sot, që vendi ndodhet sërish në rrugën e zgjedhjeve. Duke artikuluar kërkesën tonë që periudha zgjedhore të mos influencojë zbatimin normal të dispozitave të reja për emigrantët që u votuan në muajin korrik. Faktikisht ka dalë vendimi i përbashkët i ministrave të emigracionit dhe atij të punëve të jashtme, mbi ndryshimet e Kodit të Emigracionit (ligji 4251/14), lidhur me dhënien dhe rinovimin e tiutujve të qëndrimit. Ky vendim pritet të marrë edhe firmën e ministrit të jashtëm, me qëllim që të vihet në zbatimn, gjë që për mendimin tonë përbën një emergjencë. Shtojmë se pritet edhe vënia në zbyatim e qarkores për zbatimin e ligjit 4332/2015, ku përfshihen edhe dispozitat për nënshtetësinë, gjë që gjithashtu e konsiderojmë shumë të rëndësishme. Zonja Ministre, Në emër të gjithë emigrantëve që jetojnë në Greqi, ju shprehim falënderimin e sinqertë për gjithçka keni bërë, por edhe për çka do të bëni më tej, me qëllim që përmirësimi i statusit dhe i gjendjes së emigrantëve, që u inicua nga SYRIZA, të vazhdojnë të bëhen realitet. Me konsideratë, Fatos Malaj, Kryetar i Organizatës së Emigrantëve “Arogji” - “Përkrahja”, përfundon letra drejtuar ministres së emigracionit. Tribuna

Ndaje me miqte