0030 210 33 18 483

Tiranë takohen Bushati e Kotzias: angazhim i përbashkët për zgjidhjen e problemeve

06 Qershor 2016

Ministrat e jashtëm të Shqipërisë e të Greqisë, Ditmir Bushati e Nikos Kotzias, janë takuar të hënën në Tiranë, në një klimë që u vlerësua si e mirë. Pas takimit me homologun grek, Ministri Bushati informoi se palët kanë krijuar tashmë një mekanizëm për adresimin e të gjitha çështjeve dypalëshe i cili do të shoqërohet me një udhërrëfyes dhe një kalendar për të pasur produkte konkrete, me synim çlirimin e marrëdhënieve dypalëshe nga ngarkesat e panevojshme që kundërpeshojnë ritmin e natyrshëm të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinjë, partnerë strategjikë, me interesa jetike të përbashkëta. “Nuk ka qenë e lehtë të arrijmë deri këtu”, tha Bushati, duke falënderuar homologun grek dhe duke theksuar se nuk kishte asnjë alternativë tjetër, përveçse të gjenden zgjidhje në problemet. Bushati theksoi se propozimet e tij për adresimin e çështjeve kanë shumë pikë të përbashkëta me ato të homologut grek, sikundër ka dhe një vullnet të përbashkët nga ana e qeverive respektive për të ecur përpara, shtoi ai. “Krahas mekanizmit të konsultimit për mënyrën si do të adresohen çështjet, sot ne ramë dakort dhe për një hartë rrugore të qartë, nisur nga gama e gjerë e çështjeve. Kjo hartë, do të dakortësohet në nivele të ndryshme që të fillojnë dhe produktet e para pozitive në këtë drejtim”, shpjegoi ministri i jashtëm shqiptar. Ai gjithashtu vlerësoi mjaft punën e ekipeve respektive në evidentimin e çështjeve, nisur dhe nga marrëdhënia jonë, që është një marrëdhënie mijravjeçare, komplekse, por dhe një marrëdhënie me potnecial shumë të lartë’, shtoi Bushati. Ministri grek Kotzias, në deklaratën zyrtare pas takimit, duke falenderuar Ministrinë e Jashtme shqiptare për dispozitën pozitive në përballimin e problemeve, theksoi angazhimin e palës greke për zgjidhjen e tyre. Zgjidhja e çështjeve që ekzistojnë mes dy vendeve, theksoi Kotzias, do të bëhet në rrugë europiane, me kulturën e dialogut dhe mirëkuptimit europian. “Në epokën tonë është e kuptueshme se kur ekzistojnë probleme do të kërkosh dhe zgjidhje. Problemet janë që t’i zgjidhim dhe të ecim më tutje. Kjo është filozofia jonë e përbashkët, zgjidhja e problemeve ekzistuese dhe angazhimi për projektet e mëdha të së ardhmes. Kjo nisur nga detyrimet qe kemi për popujt tanë, por dhe për rajonin e sigurinë e tij”, deklaroi ministri i jashtëm grek. Kotzias mbështeti propozimin e ministrit Bushati për ‘një hartë rrugorë’ në zgjidhjen e çështjeve mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Propozimi që bëri Ditmiri për një hartë rrugore por dhe një përcaktim kohor është një propozim që është pikërisht i mbështetur në instrumentet e BE-së. Ne duhet ta ngremë këtë peshë institucionale dhe na duhet të mbarojmë me problemet që mbartim mbi vete nga e shkuara dhe të procedojmë me anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Kotzias. Ministri i Jashtem grek ripërsëriti gatishmërinë e Athinës për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së, nisur nga eksperienca që Greqia ka si një nga anëtaret e vjetra të Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, Kotzias bëri të ditur ftesën për ministrin Bushati për një takim të dytë të ‘4 vendeve’ në Selanik, ndërsa në muajin shtator do të mbahet një takim i përbashkët i 6 vendeve anëtare të BE-së, me 6 vende ballkanike dhe 6 vende arabe, tha ai. Qasje të ndryshme për çështjen çame Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve nëse çështja çame ishte pjesë e takimit të sotëm, ministri Bushati deklaroi se i respektojmë pikëpamjet e ndryshme për të,e cila shtoi ai, ka nevojë për nje trajtim më realist. “Cështja çame është pjesë e kapitullit që e ka origjinën tek Lufta e II Botërore. Jemi vende fqinje dhe deri diku është normale, qe për gjaknxehtesine që kanë ballkanasit, të kemi lexime të ndryshme për të, por dhe për çështje të tjera. Ne, gjithsesi besojmë se një trajtim realist do të zbuste tonet nacionaliste dhe do të vendoste një drejtësi të munguar. Këtu nuk bëhet fjalë as për pretendime territoriale ndaj Greqisë, pasi Shqipëria nuk ka asnjë pretendim, ajo ka firmosur Aktin Final të Helsinkit dhe e pranon dhe e respekton Greqinë si një fqinj. Eshtë mirënjohese për mbështetjen që ajo i ka dhëne Shqiperise ndër vite si në procesin e integrimit në familjen euroatlantike dhe tani në pricesin e integrimit ne BE. Por, qasja jonë kur flasim për këtë çështje ka të bëjë me respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të popullisë çame dhe pasardheve të tyre, që në fakt ishn shqiptarë camërie me nënshtetësi greke. ?do debat me karakter diskriminues do te duhej të hiqej edhe sa i takon kësaj popullsie, deklaroi Bushati. Ndërsa ministri Kotzias, pyetjes për çështjen çame, iu pergjigj se ‘ne e dimë që ka një popullsi çame që jeton në Shqipëri, dhe për këtë unë uroj që të kenë dhe ata përfitime nga integrimi i Shqipërisë në BE”. Por, shtoi ai, janë disa çamë, kristianë të myslimanizuar të 1911-s, që sot janë shtetas grekë. Ekzistojnë dhe disa çamë që bashkëpunuan me pushtuesit gjermanë,vijoi ai, dhe kishin bërë ato komisionet e kontrollit dhe të zhvatjes së pasurive të popullisë që mbetej në zonat e Epirit, të cilët u dënuan nga gjykatat greke në bazë të ligjeve greke dhe atyre ndërkombëtare. Në ndryshim nga njerëzit e tjerë që jepnin llogari në Evropë, ata u larguan nga vendi dhe nuk u ekzekutuan. Unë mendoj se duhet të kemi kujdes kur flasim për këta çamë, sepse nuk nënkuptojmë asnjë grup qytetarësh shqiptarë dhe as Shqipërinë. E them këtë, sepse disa duan të bëjnë të njëjtë bashkëpunëtorët, ata që merreshin me nazizmin gjerman, me ata që nuk kanë jetuar asnjëherë në Greqi dhe më pas këta t’i bëjnë njësoj me të gjithë shqiptarët. Në këtë prizëm, ne themi se për ne ekziston problemi. Ne kemi përqasje të ndryshme dhe të gjitha janë të njohura nga pikëpamja e historisë, deklaroi qendrimin e tij Kotzias. Në përgjigje të pyetjes se përse pala greke nuk e ka hequr ende ‘Ligjin e Luftës’ me Shqipërinë, edhe pse është deklaruar se kjo është vetëm një formalitet, ai tha se Greqia beson, se me deklaratën e Këshillit të Ministrave të 1987-s, ne nuk jemi në luftë dhe kjo është e vërtetë. Po ashtu, vijo ai, Traktati i Miqësisë i 1996-s është po ashtu i vërtetë. Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe perspektiva e hyrjes së saj në BE na bën jo vetëm miq, por edhe partnerë. ‘Nëse ekzistojnë dyshime nga pala tjetër, nëse jemi apo nuk jemi në gjendje lufte, atëherë kjo do të jetë objekt i diskutimeve që do të zhvillohen dhe besoj se të dyja palët do të gjejmë një zgjidhje të kënaqshme për këtë çështje’, deklaroi ministri grek. Tribuna

Ndaje me miqte