0030 210 33 18 483

Tiranë terminal i ri për autobusët e linjave ndërkombëtare

ATSH 24 Janar 2017

Autobusët e linjave ndërkombëtare do të vendosen në terminalin e ri të ndërtuar në sheshin pas pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Bashkia e Tiranës ka rehabilituar të gjithë hapësirën përreth zonës, e cila do të shërbejë si parking dhe si terminal i përkohshëm për të gjitha automjetet e transportit të udhëtarëve me jashtë vendit. Punimet e realizuara u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili bëri të ditur se me anë të këtij investimi krijohen dy hapësira për parkingje, një terminal për autobusët e linjave me jashtë dhe një parking ditor për qytetarët. Ai theksoi se në këtë terminal do të organizohen të gjitha linjat dhe kompanitë që kryejnë transport udhëtarësh kryesisht në vendet fqinje, duke i dhënë fund orvatjeve të deritanishme të këtyre mjeteve dhe udhëtarëve nëpër rrugët e Tiranës. “Kemi organizuar një terminal për të 36 linjat me destinacion Kosovën, Greqinë, Maqedoninë, Italinë apo vende. Shërbimi bëhet në një kabinë, ku merret një biletë dhe ku secili mund të shikojë oraret e afishuara. Kjo është një mënyrë shumë më dinjitoze se sa shpërndarja e autobusëve në të gjithë kryeqytetin. Gjithashtu, ai tha se shumë shpejt do të sistemohen në një terminal të posaçëm të gjitha mjetet e transportit të udhëtarëve të linjave të jug-lindjes, duke shfrytëzuar një nga hapësirat e liruara kohët e fundit. “Me të njëjtin model do të vazhdojmë edhe në hapësirën te “Qyteti Studenti”, ku tashmë është liruar hyrja e liqenit te Filologjiku nga të gjitha parkingjet dhe lavazhet aty. Sipas tij, kjo është një zgjidhje e përkohshme, pasi në terma afatgjatë tha se do të ndërtohen terminale sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare për një udhëtim normal të qytetarëve. Deputetja e PS, Vasilika Hysi, falenderoi Bashkinë e Tiranës për këtë investim të ri, duke theksuar se ai jo vetëm i jep një pamje dhe vlerë të re, por edhe krijon mundësinë për më shumë vende parkimi. Falë investimit të radhës, hapësira përpara pallatit të sportit “Asllan Rusi” do të shërbejë si parking publik me pagesë, ndërsa pjesa pas do të shërbejë si terminali i autobusëve ndërkombëtarë.

Ndaje me miqte