0030 210 33 18 483

Tmerr në Paris nga sulmet e koordinuara terroriste: Më shumë se 150 të vdekur

14 Nentor 2015

Të paktën 153 persona kanë humbur jetën në Paris, të premten në orët e vona të mbrëmjes, në një seri sulmesh terroriste pa precedent në historinë e Francës. Viktimat më të shumta, mbi 100, janë shënuar në sallën e koncerteve Le Bataclan, ku 1.500 persona po ndiqnin një koncert rock’n rolli. “U futën brenda dy tre persona pa maska që mbanin në duar automatikë kallashnikovë dhe nisën të shtinin verbërisht kundër publikut”, sipas një gazetari të radios Europe1 që ishte i pranishëm. “Kishte kufoma gjithandej”. “Zgjati më shumë se dhjetë minuta, një çerek ore. Ishte tmerrësisht e dhunshme dhe dominoi paniku”, shtoi gazetari Julien Pirce. “Qëllonin mbi turmën, thërrisnin ‘Allahu Akbar’”, sipas një dëshmirati tjetër, që foli për radion France Info. “I pashë që i mbushën sërish automarikët. Vazhdonin të qëllonin mbi turmën... Shkelja sipër kufomave... Ishte një tmerr”, shtoi, me zërin që i shuhej midis dënesave. Sipas dëshmitarëve në sallën e koncerteve, persona të veshur në të zeza, hapën zjarr ndaj spektatorëve, dhe pasi të plagosurit binin në tokë, ata u afroheshin dhe i qëllonin përsëri, në stil ekzekutimi Sipas një prokurori francez, sulmet janë kryer në 6 pika të ndryshme dhe sipas tij, 5 autorë sulmesh janë neutralizuar. Policia franceze thotë se ishin 4 persona që kryen sulmin në sallën e koncerteve dhe të 4 janë vrarë. Tre prej tyre, sipas autoriteve mbanin të veshur breza vetë-vrasës me lëndë shpërthyese. Persona që kishin shkuar në koncert tregojne se gjatë hyrjes në të nuk kishte kontrolle me detektorë apo ndonjë lloj kontrolli tjetër fizik. Të paktën tre shpërthime-një prej të cilëve nga kamikazë- u shënuan përreth stadiumit Stade de France, ku po zhvillohej ndeshja miqësore Francë-Gjermani, në prani të 80.000 spektatorëve. Në stadium ndodhej edhe presidenti francez, Francois Hollande që po ndiqte ndeshjen bashkë me ministrin e jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Hollande u largua nën mbrojtjen e forcave speciale nga stadiumi dhe fillimisht shkoi në ministrinë e brendshme, ku thirri mbledhjen urgjente të kabinetit. Shumë tifozë zbritën në fushën e blertë, dhe qëndruan për shumë kohë, duke kënduar Marsejezën, himnin kombëtar francez. Shpërthimi kamikaze është diçka që ndodh për herë të parë në historinë moderne të Francës. Në të njëjtën kohë, incidente me të shtëna armësh u raportuan në zonën midis departamentit 10 dhe 11, nga të paktën 5-6 persona të armatosur, që nuk kishin maska. Rrugët Fontaine su Roi, Charonne dhe bulevardi Voltaire, ngjasonin për shumë kohë si një zonë luftimesh. Vihet në dukje se vendndodhja e sulmeve është shumë afër zonës ku janë zyrat e revistës Charlie Hebdo,që u sulmuan nga islamistët në janar të këtij viti, ku humbën jetën 12 punonjës. Në qendër të goditjeve të së premtes ishin restoranti Le Petit Cambodge dhe bar Le Carillon, që ndodhen thuajse perballë njeri-tjetrit. Dëshmitarë okularë thanë se të paktën te bari Le Carillon, të dy agresorët thirrën “Allahu Akbar”, para se të fillonin të shtinin brenda në sallë. Në vazhdim u larguan. Sipas një dëshmitari, “Kjo zgjati tmerrësisht shumë. “Ngriti kallashnikovin dhe nisi të qëllojë. Dëgjonim njerëz që ulërinin dhe shihnim dhjetra trupa të binin përtokë”. Në sulmet e tjera, përveç atij te salla e koncerteve Le Batalcan - ku u vranë më shumë se 100 vetë-, të paktën 40 persona raportohet se kanë humbur jetën në sulmet e kryera në zonat e tjera të Parisit. Franca, në gjendje të jashtëzakonshme Nisur nga dimensionet e goditjeve, autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të Parisit që të mos dalin nga shtëpitë e tyre, veç nëse është nevojë e domosdoshme. Gjithë spitalet e Parisit kanë kaluar në gjendje gatishmërie të lartë. Presidenti Hollande, që i ftoi qytetarët të qëndrojnë të bashkuar dhe gjakftohtë para sulmeve terroriste, njoftoi gjatë një mesazhi të drejtpërdrejtë televiziv, se vendi kalon në gjendje të jashtëzakonshme dhe se rikthehen kontrollet në kufijtë e vendit, ndërsa forcat e armatosura so të dërgojnë si përforcime 1.500 trupa të tjera që u shtohen 7.000 trupave ushtarake të dislokuara në të gjithë Francën për operacione sigurie, pas sulmit ndaj revistës Charlie Hebdo. “Ndërsa po ju flas, sulme terroriste pa precedent po ndodhin në Paris”, deklaroi Hollande në mesazhin televiziv. “Ka dhjetra të vdekur, shumë më tepër të plagosur. Eshtë e tmerrshme”. “E dimë se nga kush u kryen këto sulme”, theksoi presidenti francez, pa emërtuar ndonjë organizatë. “Terroristët duan të na frikësojnë dhe të na paralizojnë me frikën... Ky është një vend që di të mbrohet”, shtoi Hollande. Hollande, që për shkak të sulmit anuloi pjesëmarrjen në samitin e G20 që mbahet të dielën në Turqi, shkoi më pas në Batalcan, ku deklaroi se qeveria e tij do të zhvillojë një luftë “të paepur” kundër terrorizmit dhe autorëve të sulmeve të së premtes. Pas sulmeve të janarit, në bazë të planit të sigurisë kombëtare Vigipirate, masat e sigurisë në zonën e Parisit kanë qenë në nivele tepër të larta. Në bazë të këtij plani, misioni i sigurisë së brendshme i është ngarkuar ushtrisë franceze. Franca merr pjesë që prej dy vjetësh në koalicionin e udhëhequr prej SHBA-ve, kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik (ISIS). Në tetor, aviacioni francez filloi goditjet kundër objekteve të ISIS dhe në Siri. Në fillim të nëntorit, Parisi bëri të ditur se aeroplambajtësja franceze Charles de Gaulle do të lundrojë sërish, në dhjetor, në Gjirin Persik, një lëvizje që pasoi vendimin e Uashingtonit për të intenfsifikuar bombardimet e aleatëve në Siri. Reagime Këshilli Francez i Kultit Mysliman (Conseil Francais du Culte Musulman - CFCM), i dënoi sulmet “monstruoze dhe poshtëruese” dhe u bëri thirrje “myslimanëve të Francës të luten që Franca të mundë të përballojë këtë provë të tmerrshme me qetësie dhe dinjitet”. Presidenti amerikan Barack Obama i ka dënuar sulmet e Parisit si një "përpjekje të përbuzshme" për të terrorizuar civilë të pafajshëm. Këto nuk janë vetëm sulme ndaj Parisit dhe popullit francez, por kundër të gjithë njerëzimit, tha Obama në Uashington. Ende është herët për të thënë saktë se kush qëndron pas këtyre sulmeve. Në një fjalim të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë, Obama ofroi ndihmën e vendit të tij "për t'i nxjerrë terroristët para gjyqit". Franca është aleati më i vjetër i Shteteve të Bashkuara. Populli francez ka qëndruar gjithmonë krah për krah popullit amerikan, tha Obama. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon i dënoi sulmet e Parisit me ton të ashpër. Ai beson se autoritetet franceze do të bëjnë gjithçka është në dorën e tyre për të kapur fjatorët "e këtyre akteve të tmerrshme" e nxjerrë ata para gjyqit, deklaroi Ban në Nju Jork. Ai u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe u shpreh për një shërim të shpejtë të të lënduarve. Ban Ki Moon u shpreh se qëndron në krah të popullit franez në këtë moment. Kushdo mund të preket Siç vë në dukje radio gjermane Deutsche Welle, të gjitha konfliktet e tjera mes shteteve duhet të spostohen tani. Sepse mund të preket kushdo. Në Rusi pati të premten një alarm për terror. Turqia ishte objektiv i sulmeve terroriste në tetor. Madridi u godit në vitin 2004, dhe Londra e përjetoi terrorin në vitin 2005. Askush nuk e di me siguri se çfarë celulash terroriste, cilët persona në këto celula në Europa dhe SHBA janë në pritje të aktivizohen. Bota mund të merret ende me fatin e pushtetmbajtësit, Asad, kur të jetë thyer pushteti i frikshëm i Shtetit Islamik. Pas krizës së refugjatëve në Europë po vjen edhe kriza e terrorit, një kërcënim, të cilit nuk i dihen përmasat. Tani Europa duhet të tregojë vërtet se qëndron e punon e bashkuar. Po kërcënohet siguria e qytetarëve dhe qytetareve. Jeta në paqe po rrezikohet. Përgjigja e udhëheqësve politikë në Europë, SHBA dhe Rusi tani duhet të jetë: “Ne dimë të mbrohemi!”. Tribuna

Ndaje me miqte