Tragjedi e paparë mbyten 700 emigrantë rrugës për në Itali
19 Prill 2015
Mbytja e një anijeje peshkimi në ujërat e Libisë, krijon dyshime për një tragjedi të paparë, me 700 të vdekur, pas 450 që humbën jetën javën e kaluar.
Peshkarexha u mbyt në një distancë rreth 130 km nga brigjet e Libisë ndërsa po transportonte më shumë se 700 vetë, sipas dëshmive të 28 të mbijetuarve që u shpëtuan nga një anije portugeze, u deklaroi televizioneve italiane Carlotta Sami, zëdhënëse e Komisaritatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.
Nëse këto shifra vërtetohen, do të jetë “masakra më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në detin Mesdhe”, theksoi zëdhënësja.
Kryeministri italian, Matteo Renzi anuloi një manifestim elektoral në Italinë e Veriut, në kuadër të zgjedhjeve bashkiake të 31 majit, për të ndjekur nga selia kryeministrore në Romë, zhvillimet. Renzi zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike me presidentin francez, Francoise Hollande, ku diskutoi për një përballim të përbashkët, europian dhe esencial të emigracionitl, siç raportoi televizioni publik italian RAI.
Deri në orët e para të mbrëmjes së të dielës ishin mbledhur 24 kufoma, sipas Policisë Bregdetare italiane, e cila nuk konfirmon numrin prej 700 personash që ndodheshin në bordin e peshkarexhës. Megjithatë, policia, në një komunikatë të vetën sqaron se anija, me gjatësi 20 metra, “ka kapacitet për të transportuar qindra njerëz”.
Kjo tragjedi e re në Mesdhe shënohet pas dy ngjarjeve tragjike të javës së kaluar, njera prej të cilave shënoi 400 dhe tjetra 40 të zhdukur, siç i treguan të mbijetuar Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit (IOM).
Siç bëhet e ditur, peshkarexha dërgoi të shtunën në mbrëmje sinjalin SOS, në radiovalët e policisë italiane, e cila kërkoi menjëherë prej një anijeje tregtare portugeze që të ndryshoijë kurs dhe të shkojë në vendngjarje, sipas policisë. Kur anija portugeze mbërriti në distancë reth 220 km nga ishulli italian Lampeduza, ekipazhi e pa peshkarexhën të batohej, gjithmonë sipas policisë bregdetare italiane. Kjo ndodhi atëherë kur qindra emigrantë që ndodheshin në bordin e skafit, vrapuan që të gjithë drejt njerës anë të peshkarexhës, kur panë se po afrohej anija portugeze, sipas të njëjtit burim.
Që nga mesnata e të shtunës një operacion gjigand shpëtimi po vazhdon, me pjesëmarrjen e 20 anijeve, kryesisht luftarake, të Italisë dhe Maltës.
BE, “thellësisht i tronditur”...
Bashkim i Europian është “thellësisht i tronditur” nga tragjedia e re me emigrantët dhe paralajmëroi mbajtjen sa më shpejt të një takimi të mjinistrave të brendshëm dhe të jashtëm, me qëllim që të merren masa.
“Kjo çështje ka në qendër jetë njerëzish dhe Bashkimi Europian në tërërsinë e vet ka obligimin moral dhe humanitar që të veprojë”, nënvizoi Komisioni Europian, që po harton strategjinë e re për emigracionin, që pritet të miratohet në mesin e muajit maj.
Nga ana e vet, shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mongherini tha se vendosi që ta përfshijë këtë çështje në rendin e ditës të takimit të ministrave të jashtëm, që do të mbahet të hënën, në Luksemburg.
“Do të paraqes një sërë propozimesh lidhur me Libinë, një nga rrugët kryesore të trafikut të paligjshëm të emigrantëve”, shtoi Mongherini në një komunikatë të veçantë.
“Kemi thënë shumë harë ‘mjaft më!’. Tashmë është koha që BE ta trajtojë këtë çështje pa pritur më”, theksoi Mogherini, që e cilësoi tragjedinë e re në Mesdhe “të papranueshme” në “një union që bazohet në parimet e solidaritetit, të respektimit të të drejtave njerëzore dhe të dinjitetit për të gjithë”.
Athina përgatit “hartën e vet rrugore”
Tragjedia e fundit me emigrantët ka përshpejtuar, ndër të tjera, diskutimet midis Komisionit Europian dhe vendeve anëtare. Në Athinë, zhvillimet e fundit, por edhe në përgjithësi politika greke për flukset e emigrantëve dhe refugjatëve, do të shqyrtohen gjatë vizitës që kryeministri Aleksis Tsipras do të zhvillojë të hënën në ministrinë e mbrojtjes së qytetarit.
Siç raportohet, Tsipras është në kontakt të vazhdueshëm me bashkëpunëtorët e vet dhe zyrtarët e qeverisë. Sipas të njëjtave burime, qeveria greke po përpunon hartën e vet rrugore, që do ta diskutojë me partnerët, në kohën që sa Italia, aq edhe Spanja, Qipro dhe Malta kanë në këto momente të njëjtën problematikë.
Bushati apelon për veprim kolektiv
Kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati ka shprehur ngushëllimet për ngjarjen tragjike në ujërat e detit Mesdhe. Përmes një postimi rrjetin social twitter, Ministri i Jashtëm, Bushati thotë se tragjedia e mbytjes së anijes së emigranteve kërkon reagim kolektiv.
Ndaje me miqte