Trump: Rusia nuk është përpjekur kurrë të ushtrojë presion ndaj meje
TRIBUNA
12 Janar 2017
Presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili pritet të marrë detyrën më 20 janar, u shpreh se mënyra si ai trajtohet është e denjë për “Gjermaninë naziste”, pas akuzave të pakonfirmuara se shërbimet ruse kishin mbledhur dokumente kompromentuese për presidentin e zgjedhur amerikan.
”Rusia nuk është përpjekur kurrë të ushtrojë presion mbi mua. Nuk kam të bëjë aspak me Rusinë”, deklaroi Trump.
”Nuk kam kontrata. Nuk kam borxhe. Asgjë prej gjëje”, rikonfirmoi Trump në “Twitter” disa orë pas konferencës së tij të parë për shtyp që prej zgjedhjes në postin e presidentit.
Donald Trump, në konferencën e parë për shtyp si president i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, i ka quajtur “lajme të rreme” zërat se Rusia ka material kompromentues ndaj tij.
Duke iu përgjigjur mediave që i publikuan këto lajme, Trump ka thënë se ato janë të sajuara nga “njerëz të sëmurë”.
“Këto nuk duhet të ishin shkruar dhe nuk duhet të ishin publikuar kurrë. Janë të gjitha lajme të rreme dhe muhabete telefoni, gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë. Njerëz të sëmurë i morën dhe i sajuan. Eshtë një turp i vërtetë”, ka thënë Trump.
Ai e ka quajtur portalin “Buzzfeed” një “mullar mbeturinash”, ndërsa rrjetin CNN e ka akuzuar se “po del nga rruga e duhur”. Megjithatë, në këtë konferencë shtypi Trump ka pranuar se Rusia ka kryer sulme kibernetike ndaj Shteteve të Bashkuara.
Insistimit të gazetarëve për ekzistencën e një videoje me një prostitutë në një hotel të Moskës, Trump i është përgjigjur me mohim.
“Si person i profilit të lartë që jam, kur largohem nga vendi jam shumë i kujdesshëm. Jam i rrethuar nga truproja dhe njerëz, të cilëve u them: ‘kini shumë kujdes se në hotelet tuaja mund të keni kamera të fshehura dhe nesër mund ta shihni veten në televizor’. Dhe nuk i referohem këtu vetëm Rusisë”, ka thënë Trump, i cili ka mohuar edhe lidhjet e përfolura me qeverinë ruse.
“Unë nuk kam marrëveshje me Rusinë dhe as biznese. Mund të bëjmë marrëveshje në të ardhmen, por aktualisht s’kam asnjë biznes dhe asnjë kontratë”, ka thënë Trump.
Ai ka shtuar më tej se prioritet i tij si president do të jetë Amerika dhe jo bizneset, të cilat do t’i marrin në menaxhim djemtë e tij.
“Unë jam në gjendje të menaxhoj bizneset e mia dhe qeverisjen në të njëjtën kohë, por nuk dua ta bëj. Bizneset e mia do të menaxhohen nga djemtë e mi, Don dhe Erik, të cilët do të jenë në lartësinë e duhur dhe nuk do të diskutojnë asgjë me mua”, ka shtuar Trump.
Ndër të tjera, presidenti ka konfirmuar anulimin e reformës shëndetësore të hartuar nga administrata në ikje, e njohur si Obamacare, si dhe ndërtimin e murit në kufi me Meksikën.
“Do të jem krijuesi më i madh i vendeve të reja të punës”
Gjatë konferencës për shtypo, Trump deklaroi se do të ishte krijuesi më i madh i vendeve të reja të punës që Zoti kishte krijuar ndonjëherë.
“Ne do të krijojmë vende të reja pune. Ju them se do të jem krijuesi më i madh i vendeve të reja të punës që Zoti ka krikuar ndonjëherë. E besoj me të vërtetë”, u shpreh Trump, nga kulla e tij njujorkeze, në një konferencë shtypi për median, e para në nivel zyrtar që nga 8 nëntori, kur ai u zgjodh president.
”Ekziston një atmosferë fantastike në këto momente, një atmosferë që shumë persona më thonë se nuk e kanë përjetuar kurrë më parë”, theksoi Trump.
Ndaje me miqte