0030 210 33 18 483

Trump dhe Clinton përballen në një debat të tensionuar

27 Shtator 2016

Shkëmbime force, atmosferë e elektrizuar, debati i parë presidencial mes Hillary Clinton dhe Donald Trump u zhvillua në një përballje shumë të tensionuar, duke e detyruar shpesh herë republikanin të mbrohet, vetëm gjashtë javë nga zgjedhejt. Për 90 minuta, dy rivalët janë përballur mbi vizionin e tyre të së ardhmes, ekonominë, sigurinë, politikën e jashtme dhe çështje të tjera si tatimet e Donald Trump apo emailet e Hillary Clinton. “Donald, ju jetoni në një botë më vete”, e sulmoi ish-sekretarja amerikane e Shtetit, që aspiron të bëhet gruaja e parë presidente e SHBA-së. Republikani filloi më i matur se zakonisht, por shumë shpejt debati u tensionua. “Do të bëj të rikthehen vendet e punës, ju nuk mund ta bëni”, përgjigjet Donald Trump, duke ndërprerë shpesh rivalet e tij, që ruajti qetësinë duke buzëqeshur. Komentet dhe sondazhet e para në marra në moment, normalisht të pasakta, jepnin avantazhin e Hillary Clinton. “Mendoj se kaloi shumë mirë për mua”, deklaroi Donald Trump pas debatit. Hillary Clinton përballë gazetarit Lester Holt, paraqiti programin e saj para se të fillonin propozimet konkrete, duke theksuar progreset e arritura në tetë vitet e fundit. Donald Trump, shumë kritik ndaj administratës Obama, e përshkroi si një “politikan tipik, të fjalimeve, jo të verprave. Ju keni bërë këtë për 30 vite, përse keni filluar të mendoni për një zgjidhje tani?”. Në fund të debatit sulmet u bënë më personale. “Ajo nuk ka energjinë (-) për të qenë presidente e vendit, ju keni nevojë për një energji fenomenale”, deklaroi Donald Trump. “Kur të ketë udhëtuar në 112 vendet dhe të ketë negociuar një marrëveshje paqe, një armëpushim, lirimin e disidentëve (-) apo të ketë kaluar 11 orë duke dëshmuar para një komisioni të Kongresit, atëherë mund të më flasë për energji”, u përgjigj Hillary Clinton. Një tjetër pikë e nxehtë e debatit ishte edhe deklarimi i tatimeve të paguara, një deklarim që është bërë tradicionalisht prej 40 vitesh nga gjithë kandidatët për president të SHBA-së “Ai fsheh ndonjë gjë (-) Ndoshta nuk është aq i pasur sa thotë”, vazhdoi kandidatja demokrate. Ish-shefja e diplomacisë akuzoi gjithashtu rivalin e tij se ka ngritur karrierën politike mbi një mashtrim racist që vë në dyshim kombësinë amerikane të presidentit Barack Obama. I vënë në presion nga pyetjet e moderatorit mbi këtë çështje, Trump u përgjigj thjesht se nuk ka ndonjë gjë për të thënë. Clinton, që ka marrë pjesë në më shumë se 30 debate politike që prej vitit 2000, u përpoq të imponojë një pamje më presidenciale në pjesën e debatit që i përkon politikës së jashtme dhe sigurisë, duke u përpjekur kryesisht të garantojë aleatët e SHBA-së. “Nuk keni parë një performancë më perfekte të Hillary Clinton dhe një performancë po aq jo perfekte të mundshme të kundërshtarit të saj”, komentoi pas debatit John Hudak, i “Brookings Institution”. {Asnjë nga kandidatët nuk bëri gabime të mëdha, Trump humbi më shumë oportunitete se sa Clinton. Ajo u shfaq si presidente, nuk është një surprizë”, deklaroi nga ana e tij Timothy Hagle, profesor i shkencave politike në universitetin e Iowa. AFP

Ndaje me miqte