Trump nën hetim për pengimin e drejtësisë
15 Qershor 2017
Këshilltari special, Robert Mueller, i cili po drejton hetimin për ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane, po shqyrton pengimin e mundshëm të drejtësisë nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, njoftoi gazeta amerikane ”Washington Post” të mërkurën në mbrëmje.
”Hetuesit që punojnë nën drejtimin e Mueller që kur ai u emërua nga Departamenti i Drejtësisë muajin e kaluar për të marrë përsipër hetimin, po planifikojnë për të biseduar me zyrtarët kryesorë të shërbimeve sekrete”, njoftoi gazeta, duke cituar pesë emrat e zyrtarëve të planifikuar për intervistë.
Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, i shkarkuar nga Trump më 9 maj, dëshmoi javën e kaluar para komitetit të Senatit duke thënë se ai besonte se largimi i tij ishte një përpjekje për të ndryshuar hetimin federal të aktiviteteve ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe lidhjet me ish këshilltarin e sigurimit kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn.
“Trump, më parë ka sugjeruar që hetimi i Flynn të ndërpritet”, tha Comey.
Drejtori kombëtar i shërbimeve sekrete amerikane, Daniel Coats, shefi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Mike Rogers dhe Richard Ledgett, të cilët kohët e fundit dhanë dorëheqjen si zëvendësdrejtorë të NSA, kanë rënë dakord të flasin me hetuesit, njoftoi Washington Post”.
Ndaje me miqte