Trump paraqet strategjinë për Afganistanin
Zeri i Amerikes
22 Gusht 2017
Presidenti Donald Trump prezantoi një strategji për politikën amerikane në Afganistan dhe në Azinë Jugore, duke thënë se amerikanët janë lodhur pa një fitore në luftën në Afganistan, më e gjata e ndërmarrë ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një fjalim drejtuar vendit nga një bazë ushtarake në Fort Majer të Virxhinias pranë Uashingtonit, Presidenti Trump tha se SHBA duhet të përpiqen për një zgjidhje me nder dhe të qëndrueshme në Afganistan, zgjidhje që të jetë e denjë për sakrificat e bëra.
Ai tha se pasojat e një tërheqjeje të shpejtë do të krijonin një vakum që do të mbushej nga ekstremistët.
"Instinkti im fillestar ishte tërheqja,” tha Presidenti në fjalimin e tij. Por shtoi se ishte bindur nga këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare që të forconte aftësinë e SHBA për të mos lejuar talebanët të rrëzonin qeverinë e ka Kabulit të mbështetur nga Uashingtoni.
Presidenti nuk tha se sa forca amerikane do të dërgoheshin, por Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis ka plane për të dërgimin e rreth 4 mijë trupave shtesë, përveç 8 mijë e 400 që SHBA kanë të stacionuara në Afganistan.
Presidenti tha se trupat do të luftojnë për të fituar dhe se që tani e tutje fitorja do të ketë një përkufizim të qartë.
Objektivat amerikane në Afganistan, tha Presidenti Trump, do të përfshijnë fshirjen nga faqja e dheut të ISIS-it dhe moslejimin e talebanëve për të marrë nën kontroll Afganistanin.
Zoti Trump tha se për të arritur këto objektiva, ai do të zgjeronte autoritetin e trupave amerikane për të vënë shënjestër rrjetet kriminale dhe terroriste në Afganistan.
Presidenti bëri të ditur se SHBA do të vazhdojnë të punojnë për të forcuar trupat afgane të sigurisë. Por ai paralajmëroi se mbështetja amerikane për Afganistanin nuk ishte e pakufizuar. Ai tha se Afganistani duhet të tregojë një angazhim serioz dhe të ndërmarrë hapa për të luftuar probleme të tilla të përhapura si korrupsioni.
“Durimi ynë nuk është pa kufi. Ne do t’i mbajmë sytë hapur,” tha zoti Trump.
Presidenti Trump kritikoi gjithashtu Pakistanin, që ai tha se ka vepruar si strehë e sigurt për "agjentët e kaosit".
Ndaje me miqte