Tsipras Mitsotakis përplasje e ashpër në Parlament
TRIBUNA
02 Shkurt 2017
Debati parlamentar mbi raportin e komisionit hetimor për kreditimin e partive dhe të mediave, është shndërruar në një përplasje të ashpër ndërmjet kryeministrit Aleksis Tsipras dhe kryetarit të Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis.
Ashtu siç pritej, përplasja ndërmjet dy liderëve politikë nuk u kufizua tek tema e rendit të ditës, por u shtri sidomos në çështjen e negociatave të qeverisë greke me kreditorët. Sipas Mitsotakisit, vonesat në negociata kanë një impakt të ndjeshëm në ekonominë greke, ndërkohë që kryeministri e akuzoi shefin e opozitës se është rreshtuar në krahun e kreditorëve, të cilët kërkojnë masa më të ashpra.
Mitsotakis, që e mori fjalën i pari, përsëriti kërkesën e tij për zgjedhje të reja, duke theksuar ndërmjet të tjerash se vendi ka nevojë për një qeveri reformatore. “Nuk ka rëndësi nëse nuk doni apo nuk mundeni; nuk keni të drejtë të merrni me vete në humnerë vendin”.
Duke u përgjigjur me tone gjithashtu të larta, kryeministri Tsipras tha se kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa ende nuk janë mbyllur negociatat me kreditorët, është “ose mendjelehtësi, ose një idiotizëm”. Tsipras e akuzoi shefin e opozitës se kërkon “ta dorëzojë popullin dhe vendin në duart e kreditorëve më ekstremë”. “Nuk do t’jua bëjmë qejfin”, deklaroi shefi i qeverisë.
Tsipras vazhdoi duke thënë se “ato që po kërkon Demokracia e Re janë përtej çdo logjike demokratike dhe kushtetuese”. “A pajtoheni apo nuk pajtoheni me masat e ashpra që kërkon FMN?”, iu drejtua Mitsotakisit, duke shtuar se qëndrimi i qeverisë është i qartë.
“Nuk kërkojmë deputetë të gatshëm që të votojnë masa”, tha më tej Tsipras, duke akuzuar partinë më të madhe opozitare se “e vetmja që ju intereson është që të riktheheni në pushtet për të plaçkitur sërish vendin”.
Sa i përket raportit të komisionit parlamentar për kreditë e partive dhe të mediave, Tsipras tha se tashmë ndodhet në duart e drejtësisë, e cila do të shqyrtojë nëse rezultojnë përgjegjësi penale për figura politike.
Kryeministri theksoi se nga raporti rezulton që partitë dhe mediat u kanë borxh bankave 1,3 miliardë euro, shumica e të cilave, siç tha, “u dhanë pa kritere, në kohën që as biznese të shëndetshme nuk mundnin të merrnin kredi bankare”.
Ndaje me miqte