0030 210 33 18 483

Tsipras: Angazhim personal për zgjidhjen e problemeve të emigrantëve shqiptarë

TRIBUNA 12 Tetor 2016

Kryetari i parlamentit të Shqipërisë Ilir Meta, ka kërkuar nga kryeministri grek Aleksis Tsipras përmirësimin e mëtejshëm të kushteve për qytetarët shqiptarë në Greqi. Në takimin e zhvilluar të mërkurën paradite në Athinë, Meta e ka falënderuar personalisht kryeministrin grek për vëmendjen ndaj emigrantëve dhe në veçanti të shqiptarëve. Në këtë kuadër, Meta i ka parashtruar kryeministrit grek, nevojën e njohjes së vulës apostile për dokumentet e ardhura nga Shqipëria, apo të njohjes së patentave shqiptare edhe në Greqi. “Më ka bërë përshtypje vullneti i tij për t’u angazhuar edhe personalisht me ministritë përkatëse për të zgjidhur disa probleme dhe disa vështirësi praktike me të cilat ndeshen emigrantët shqiptarë këtu, si: çështja e çertifikatave, e patentave, etj.”, tha pas takimit zoti Meta për Tribuna-News. “Në pjesën më të madhe të historisë, dy popujt tanë kanë bashkëjetuar dhe kanë patur fate të përbashkëta”, tha Meta, duke shtuar se disa probleme të trashëguara nga e kaluara, nuk duhet të influencojnë marrëdhëniet. Nga ana e vet kryeministri grek ka veçuar faktin se vizita e kreut të parlamentit shqiptar u zhvillua në një moment të rëndësishëm, siç tha, të marrëdhënieve dypalëshe. “Këto marrëdhënie, në thellësi të historisë, kanë patur edhe tensione, por gjithsesi ishin marrëdhënie bashkëjetese dhe këtë duhet të ruajmë”, tha Aleksis Tsipras. “Kryesisht, duhet të ruajmë perspektivën e fqinjësisë së mirë nga zërat nacionalistë, që gjithmonë duan të krijojnë probleme, të cilat po gjithmonë i paguajnë popujt”, shtoi Tsipras. “Dua t’ju përgëzoj, pse kohë pas kohe, ju keni qëndruar përballë këtyre zërave”, tha kryeministri grek duke iu drejtuar kryeparlamentarit shqiptar. “Uroj që zhvillimet e ardhshme në Shqipëri të afirmojnë demokracinë dhe vullnetin e popullit shqiptar, me qëllim që të zgjidhen problemet”, u shpreh Tsipras. Takimi me kryeministrin grek shënoi dhe përmbylljen e vizitës triditore të kryeparlamentarit shqiptar në Athinë. I shoqëruar nga një grup deputetësh, zoti Meta zhvilloi takime me udhëheqjen e lartë të shtetit fqinj, por edhe me drejtues të partive parlamentare greke, me përjashtim të Agimit të Artë.

Ndaje me miqte