Tsipras: &ldquoBallkani sot në kurs bashkëpunimi&rdquo
05 Tetor 2017
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka përcjellë një mesazh bashkëpunimi nga Varna, ku mori pjesë në takimin katërpalësh të liderëve të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Serbisë.
“Rajoni ynë mund të ketë lindur shqetësime në të kaluarën, por sot gjendet në një kurs bashkëpunimi dhe bashkëzhvillimi”, shkruan Tsipras në rrjetin social Twitter.
Katër liderët bënë së bashku thirrje për paqe dhe prosperitet në Ballkan, si edhe për aderimin e Serbisë në Bashkimin Europian.
“Vendet e rajonit duhet të kthehen në një shembull të stabilitetit dhe begatisë, e kjo është në interesin e qytetarëve, por edhe biznesit”, deklaroi kryeministri bullgar Boyko Borissov, në konferencën për shtyp të mbajtur pas takimit në Varna, me homologët grek e rumun, Alexis Tsipras dhe Mihai Tudose, si dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
“Vendi i natyrshëm i Serbisë - shtoi ai, - është në BE”. Këtyre komenteve i bëri jehonë edhe shefi i ekzekutivit grek. Beogradi, sipas Tsipras e meriton një aderim të shpejtë. Ai shtoi se të 4 vendet, 3 nga të cilat janë tashmë anëtare të Bashkimit Europian, mund të luajnë një rol kyç në zhvillimin e rajonit.
“Kemi vendosur jo vetëm të kemi një bashkëpunim më të ngushtë me njëri-tjetrin në lidhje me fushën e energjisë, makroekonomisë dhe transportit, por edhe të përmirësojmë atë ekzistues në raport me menaxhimin e krizave, sigurinë dhe krizën e refugjatëve. Diskutuam gjithashtu edhe mbi projekte të mëdha të përbashkëta në rajon. Nëse ato mund të realizohen duke kapërcyer kufijtë, Ballkani do të tjetërsohet i gjithi”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.
Kryeministri rumun Tudose u përqëndrua te veprimi i përbashkët në çështjet e energjisë, e sidomos te koordinimi i mirë i projekteve infrastruktore.
Vuçiç, nga ana e tij, shprehu mirënjohje për mbështetjen e përcjellë nga udhëheqësit e tjerë lidhur me anëtarësimin e Serbisë, e shtoi se së bashku, të 4 vendet ballkanike mund të bëjnë shumë për të pasur më pak probleme nga sa kanë sot.
Ndaje me miqte