Tsipras: Greqia faktor stabiliteti dhe zhvillimi
TRIBUNA
22 Janar 2017
"Qeveria ka hedhur bazat për “shndërrimin rrënjësor të Greqisë nga një shtet etatist në një model modern prodhimi që i mëshon kapitalit njerëzor dhe novitetit”, thekson kryeministri Aleksis Tsipras në një artikull që përfshihet në botimin vjetor “Bota në 2017”, të revistës britanike The Economist.
“Objektivi ynë konstant është që zhvillimi të shndërrohet në vende pune dhe prosperiteti të përfshijë gjithë qytetarët grekë që kanë përjetuar pasojat e krizës”, vazhdon Tsipras.
Ekonomia
Aleksis Tsipras nënvizon se vendi ndodhet në mesin e një rruge të qëndrueshme rimëkëmbjeje dhe tejkalimi të krizës ekonomike, ndërsa 2017-a, sipas tij, “do të jetë një vit zhvillimi që Komisioni Europian e ka parashikuar në nivelin 2,7% dhe në 2018, 3,1%”.
Kryeministri vë në dukje se 2016 u mbyll me një rritje prej 3,3% të investimeve, ndërsa në 2017 pritet që investimet të rriten me 9,1%. Paralelisht, megjithëse papunësia mbetet në nivele të larta, “është ulur thajse me 4% gjatë ditëve të qeverisë së sotme”.
“Ob jektivi ynë është që Greqia të jetë konkurrente në ekonominë e re të njohurive dhe mos ta strukturojë ekonominë e vet mbi modelet e vjetëruara të prodhimit që bazohen në nënvleftësimin e konkurerncës dhe pagat e ulëta”, thekson Tsipras.
Kriza e refugjatëve
Kryeministri grek në artikullin e tij thekson se Europa ndodhet në një udhëkryq kritik, pasi po përballet në brendësi të vet me krizën e sigurisë, krizën e refugjatëve dhe krizën ekonomike.
Duke nxjerrë në pah rolin kyç të Greqisë në këto zhvillime, Tsipras i referohet pozitës gjeografike, veçanërisht të ndjershme dhe njëherazi jashtëzakonisht të rëndësishme të Greqisë, por edhe rolit përcaktues që luan vendi në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe gjithë Europës, me qëndrimin në krizën e refugjatëve, “një shembull solidariteti dhe humanizmi”, siç nënvizon.
Në këtë kuadër, Tsipras thekson nevojën e marrjes së vendimeve të menjëhershme dhe të guximshme, që do të normalizojnë situatën dhe do të përshpejtojnë rivendosjen e refugjatëve në vendet që ata dëshirojnë, duke suprimuar njëkohësisht “absurditetin e kufijve të mbyllur, që është një ofendim për traditën europiane”.
Ndaje me miqte