Tsipras: Lufta për ndryshim një aksion i përditshëm&rdquo
25 Janar 2016
Lufta për ndryshim nuk është një teori librash, por një aksion i përditshëm, theksoi kryeministri grek - njëherazi kryetar i SYRIZA-s, Aleksis Tsipras, gjatë një fjalimi të mbajtur me rastin e një vjetorit të ardhjes në pushtet (25 janar 2015), në veprimtarinë me sloganin “Një vit majtas. Një vit betejash. Vazhdojmë”.
Tsipras theksoi se në 2015-n “ne u ballafaquam me historinë dhe morëm përsipër përgjegjegjësi historike për të majtën europiane dhe ndërkombëtare”.
Tsipras tha më tej se qeveria e tij u përball me sistemin konservator që insiston në mënyrë dogmatike në recetat e shtrëngesës dhe pretendon se nuk e kanë fajin ato receta, por moszbatimi i tyre.
Në vazhdim të kritikave ndaj sistemit, Tsipras shprehu krenarinë që “luftuam për të mbaruar me gjithë sa na solli deri këtu”, dhe përmendi luftën ndaj oligarkisë dhe korrupsionit, ndërsa nënvizoi se “nuk do të bëhemi pengje as të shantazhuesve, as të interesave të organizuara”.
Duke iu referuar sipas tij “kurtheve” që iu ngritën vendit, kryeministri tha se “i shmangëm falë mbështetjes nga populli, i cili na dha fitoren në tri beteja elektorale në më pak se një vit”.
Tsipras sulmoi opozitën duke e renditur në “forcat që përpiqen ta shndërrojnë vlerësimin nga kreditorët në një instrument për të shantazhuar qeverinë”, dhe e akuzoi se fshihet pas tezës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për reformën e sigurimeve shoqërore. Tsipras i bëri thirrje Demokracisë së Re që të sqarojë “nëse është me bllokimin e rrugëve (nga protestuesit) apo me FMN”.
Në vazhdim, kryeministri grek u ndal në çështjen e sigurimeve shoqërore, duke thënë se dilema kritike është “reformimi i sistemit apo rrënimi i sistemit”.
Duke iu kthyer sërish Demokracisë së Re, Tsipras kërkoi që opozita të sqarojë nëse është në favor të një rritjeje të vogël të konributeve nga punëdhënësit, apo kërkon një tjetër ulje horizontale të pensioneve.
“Cila do të ishte sot gjendja e vendit, nëse Demokracia e Re qëndronte në pushtet? Do të luftonte partia neoliberale e zotit Mitsotakis për kreditë e këqija. Apo për shfrytëzimin e pasurisë publike?”, drejtoi Tsipras pyetjen retorike.
Tribuna
Ndaje me miqte