Tsipras: Marrëveshja është e mundshme por jo në dëm të pensioneve dhe kompensimeve
09 Qershor 2015
Në një intervistë për gazetën italiane “Corriera della Sera” të publikuar të martën, kryeministri grek, Aleksis Tsipras, shprehet optimist se marrëveshja me partnerët mund të arrihet, por thekson se kjo nuk do të bëhet në dëm të pensioneve dhe kompensimeve.
Tsipras thotë se po i shohim tani pasojat e politikës së ndjekur në Europë dhe thekson se do të duhet që kjo politikë të ndryshojë, për t’u shpëtuar Greqia dhe Europa. “Nëse Europa nuk mundet të menaxhojë një vend kaq të vogël (shënimi ynë: si Greqia), atëherë çfarë do të bëjë me Spanjën dhe Italinë? Kemi vuajtur më shumë se çdokush tjetër”, nënvizon kryeministri grek.
Duke iu referuar takimit që do të ketë të mërkurën në Bruksel me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Francois Hollande, Tsipras vlerëson se aty do të bëhet një bilanc i progresit që është arritur: “Besoj se të mërkurën do të bëhet një diskutim, i cili do të përfshijë thelbin e progresit që është shënuar deri më tani. Do të caktojmë një afat të qartë për marrëveshjen. Ne paraqitëm një tekst të kompletuar që përfshin terrenin e përbashkët. Më tej, do të punojmë për të mbyllur diferencën në masat fiskale, duke paraqitur propozime alternative, aty ku ka kërkesa absurde dhe të papranueshme”, thotë kryeministri grek. “Duam t’i japim fund një herë e mirë këtij diskutimi neveritës për Grexit, që pasqyron prej vitesh problemin e stabilitetit ekonomik të Europës”, thekson Tsipras.
“Ka zgjidhje teknike që mund të evitojnë një program të tretë ndihme dhe në të njëjtën kohë të ofrojnë një plan afatmesëm të qëndrueshëm, sa i përket pagesës së borxhit, me qëllim që ta kthejnë Greqinë te tregjet më shpejt nga sa mund të imagjononi”, thotë kryeministri grek.
Tsipras thekson se “një Grexit (shënimi ynë: Dalje e Greqisë nga euro), do të ishte fillimi i fundit për Eurozonën” dhe shton se “problemi është se disa nuk janë të predispozuar të pranojnë se reformat e pesë viteve të fundit në Greqi kanë dështuar, sepse kjo do të kushtonte. Europa dhe institucionet duhet të pranojnë se shtrëngesa ka dështuar. Nuk është një vendim i lehtë, por duhet të mendojmë koston ekonomike të një krize të vazhdueshme, apo akoma më keq, koston historike të një dështimi”.
“Pas pesë vitesh shtrëngese, është e pakonceptueshme që të jemi të detyruar të zhdukim pensionet më të ulëtsa dhe kompensimet, gjë që do të godiste qytetarët më të varfër. Të heqim kompensimet për ngrohjen ndërsa ka njerëz që vdesin nga të ftohtit?”, pyet Tsipras, duke shtuar se këto janë propozime që qeveria nuk mund t’i pranojë, sepse do të jetë goditje për Europën e demokracisë dhe të solidaritetit social, “ndaj të cilave disa prej nesh vazhdojnë të besojnë me pathos”, siç thotë Tsipras.
“Nuk duam të terrorizojmë apo të shantazhojmë. E dimë se edhe të tjerët kanë probleme për të zgjidhur dhe në të njëjtin moment tregojnë solidaritet”, deklaron Tsipras. “Dua të jem i qartë. Greqia merr kredi. Askush nuk i fal para. Sipas parlamentit gjerman, Gjermania ka fituar 360 milionë euro nga kreditë që ka dhënë tek ne”, vëren kryeministri grek.
“Nëse Greqia falimenton, shpejt do të gjendet cili e ka radhën. Nëse dështojnë negociatat, kostoja për taksapaguesit europianë do të jetë kolosale. Prandaj jemi të bindur se me këtë mundësi nuk pajtohet askush”, thekson Tsipras dhe konkludon se po të kenë sukses negociatat, nga shtrëngesa më e ulët do të përfitojnë edhe vende të tjera.
Ndaje me miqte