Tsipras: Nënshtetësi që me lindjen e tyre në Greqi për fëmijtë e emigrantëve
TRIBUNA
14 Tetor 2016
Kryeministri grek Aleksis Tsipras, ka theksuar si një nga prioritetet e qeverisjes së tij dhënien automatike të nënshtetësisë fëmijve të emigrantëve që lindin dhe arsimohen në Greqi.
Gjithashtu, ai u angazhua për të sanksionuar të drejtën e votës që nga mosha 17 vjeç.
Tsipras i veçoi këto prioritete duke folur në Kongresin e 2-të të partisë së tij, SYRIZA, që filloi të enjten pasdite.
“Ne kemi obligimin historik që të fitojmë betejën për dalje nga kriza, me shoqërinë në këmbë”, nënvizoi Tsipras në fjalimin e tij.
“Dalja e Greqisë nga eurozona nuk ishte dhe nuk është një projekt përparimtar”, ka theksuar kryeministri grek.
Dhe ka shtuar:
“Mirëpo, dalja nga euro pas pas pesë vitesh të plaçkitjes së një të katërtës të pasurive tona kombëtare, do të thoshte një plaçkitje shtesë dhe njëkohësisht do të shënonte edhe fundin e depozitave të shtresave popullore në bankat greke”.
“Ky nuk është një projekt i majtë”, nënvizoi Tsipras, “por ishte një projekt i Wolfgang Schauble-s, ministrit të financave të Gjermanisë”.
“Shtrëngesa monetare funksionoi si një shantazh i vazhdueshëm për të na detyruar që t’u nënshtrohemi angazhimeve të qeverive të mëparshme dhe urdhërave të masave më të ashpra dhe më të pamëshirshme shtrënguese”, vazhdoi Tsipras.
“Gjetëm përballë nesh jo vetëm institucionet dhe qëndrimin e paepur të Gjermanisë, por edhe të gjithë sistemit të vjetër politik të vendit tonë. Demokracinë e Re dhe PASOK-un, por edhe thuajse tërësinë e mediave sistemike. Liberalët dhe intelektualët e qendrës ekstreme”, theksoi Tsipras.
“Në këto kushte, populli grek e dha përgjigjen e vet në referendumin e korrikut 2015”, tha kryeministri dhe kryetar i SYRIZA-s.
“Mirëpo, nuk arritëm t’i japim fund shtrëngesës. Nuk arritëm të thyejmë vijën e dakorduar të Europës. Mirëpo arritëm ta krisim. Të startojmë fillimin e ndryshimit, qofte dhe me hapa të drojtur”, tha më tej Tsipras.
Në këtë pikë, Tsipras iu referua çështjes së borxhit publik të Greqisë, duke theksuar që “ashtu siç ne respektojmë marrëveshjen pa llogaritur koston, kështu presim dhe kërkojmë të respektohet edhe nga partnerët tanë”.
“Vonesa në konkretizimin e masave të domosdoshme për lehtësimin e borxhit, nuk ka asnjë justifikim”, theksoi Tsipras.
Në vazhdim, kryeministri iu referua veprimtarisë së qeverisë dhe posaçërisht në “ndërhyrjet me karakter social”, për të evidentuar “vijën ndarëse ndërmjet një politike të majtë të rishpërndarjes së barrës dhe një politike neoliberale që e kërkon zhvillimin në rrënojat e shoqërisë dhe të punës”.
“Ne, nga ana jonë, mbrojmë dhe luftojmë për krijimin e një modeli prodhimi të ekonomisë greke që gjendet në anën e kundërt të alternativave të mësipërme... Krijojmë kështu një program rimëkëmbjeje ekonomike dhe sociale me afat pesëvjeçar deri në vitin 2021. Dhe deri atëherë aspirojmë të kemi arritur një sërë objektivash për rishpërndarjen, zhvillimin dhe mbrojtjen sociale, me qëllim që në përfundim të pesëvjeçarit të kemi arritur reduktimin e papunësisë në vendin tonë, të paktën me 10%”, deklaroi Aleksis Tsipras. “Ky është ndoshta objektivi kombëtar më i rëndësishëm për pesëvjeçarin e ardhshëm”, shtoi.
Sipas tij, fushat vendimtare për suksesin janë katër:
E para, mbështetja e punësimit dhe rehabilitimi i kontratave kolektive;
E dyta, ekonomia shoqërore;
E treta, vazhdimi i luftës kundër evazionit fiskal, të madh e të mesëm;
E katërta, rindërtimi i shtetit social.
“Shpëtimi i grupeve sociale nga katastrofa është parakusht për çdo projekt që kërkon të ketë si horizont transformimin social. Dhe për ne, ky mbetet horizonti ynë strategjik”, tha Tsipras.
“Socializmi i shekullit të 21-të, që është vizioni dhe objektivi anë strategjik, nuk mund të vijë më afër në kushtet e katastrofës totale të maseve popullore”, shtoi.
Ndaje me miqte