Tsipras: &ldquoPashkët do të vijnë bashkë me ringjalljen e ekonomisë greke&rdquo
02 Mars 2016
Qeveria greke e respekton gërmë për gërmë marrëveshjen me kreditorët, ndërsa sot nuk ka asnjë ngjashmëri me situatën që dominonte gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, deklaroi kryeministri Aleksis Tsipras, në përgjigje të pyetjes nëse do të kemi një përsëritje të tensionit të 2015-s.
Tsipras ishte i ftuar në emisionin “Ston Eniko” të gazetarit të njohur grek, Nikos Haxhinikolau në TV Star.
Kryeministri grek u pyet dhe nëse dëshironte që Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) të qëndronte apo të largohej nga programi i mbështetjes së Greqisë. Tsipras theksoi se kriza e refugjatëve i ka imponuar BE-së një tjetër mënyrë mendimi, pasi shumica po e kuptojnë se Europa ndodhet në rrezik, ndërsa presidenti francez Hollande deklaroi që nëse BE e kishte nxjerrë Greqinë nga eurozona, sot do të kishte një problem serioz.
Për inspektimin nga ana e “Kuartetit”, Tsipras tha se është më i rëndësishmi, pasi do t’i ofrojë Greqisë lehtësimin e borxhit, ndërsa i shpreh optimist se do të konkludohet shumë shpejt. Sipas mendimit të kryeministrit, përfaqësuesit e kreditorëve do të kthehen brenda dhjetëditëshit të parë të marsit dhe se gjithë projektligjet e rëndësishme do të votohen brenda këtij muaji. “Pashka do të vijë bashkë me ringjalljen e ekonomisë greke”, tha shprehimisht Aleksis Tsipras.
Kryeministri mbrojti politikën e tij në fushën e ekonomisë, duke theksuar se rezultatet janë shumë më të mira nga ç’parashikoheshin. Bankat greke janë me rikapitalizimin më të mirë në Europë, nënvizoi, ndërsa garantoi se nuk ekziston asnjë rrezik për reduktimin (“qethjen”) e depozitave. Gjithashtu, Tsipras theksoi se në gjashtëmujorin e parë të 2016-s vendi do të shkojë në ritme pozitive zhvillimi.
I pyetur mbi tryezën e liderëve politikë që do të mbahet të premten te Presidenti i Republikës dhe mbi mundësinë që Greqia të vendosë veto ndaj vendimeve të BE-së, Tsipras tha se çdo armë që disponon, është e rëndësishme se në ç’mënyrë dhe kur do ta përdorësh. Ajo që unë synoj dhe që besoj se kjo duhet të jetë vija kombëtare është që të kemi vendimin më të mirë të mundshëm, që nuk mund të ezaurohet me një deklaratë mbështetjeje, theksoi kryeministri.
I pyetur se çfarë do të bëjë në rast se liderët politikë nuk miratojnë vendosjen e vetos nga ana e Greqisë, kryeministri tha se të enjten do të bëhet mbledhja e këshillit të ministrave, ku do të vendoset vija e qeverisë në prag të samitit të BE-së. Vendimi i këshillit të ministrave do t’u paraqitet liderëve politikë dhe “aty shpresoj për një deklaratë të përbashkët”.
I fokusuar në mundësinë për të vendosur Greqia veto dhe në kritikat që po i bëhen nga opozita se mund ta shpjerë vendin në izolim, Tsipras tha se sot të gjithë tregojnë me gisht Austrinë dhe shtoi se mundësia për veto u shtrua që në samitin e kaluar të BE-së, në mesin e shkurtit. Ne pretendojmë rivendosjen e refugjatëve nga Greqia dhe nga Turqia direkt në Europë. Qëndrimi i përgjegjshëm i qeverisë nuk është të përshkallëzojë provokimet, tha kryeministri duke iu referuar qëndrimit të Turqisë, por të synojë bashkëpunimin me fqinjin. “Nëse Turqia nuk bashkëpunon, kam frikë se madje edhe me prezencën e NATO-s nuk do të kemi reduktim të flukseve” vërejti Tsipras.
Kriza më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore
Përjetojmë krizën më të madhe të refugjatëve dhe zhvendosjen e popullsisë pas Luftës së Dytë Botërore, tha në vazhdim kryeministri grek. Na duhet të përballojmë një problem i cili i tejkalon mundësitë e një vendi dhe të një qeverie, nënvizoi Tsipras duke shtuar se as vetë Europa nuk mundi të qëndronte në lartësinë e vet. Gjendemi përballë rezultatit të përzgjedhjeve absurde të Perëndimit, tha lidhur me situatën në Siri.
Tsipras e përjashtoi kategorikisht mundësinë e daljes së Greqisë nga Shengeni, duke argumentuar se një zhvillim i tillë do ta shtynte Greqinë në marxhina dhe do t’i jepte një goditje të rëndë turizmit.
Tsipras bëri thirrje që të ndalojë ndërlidhja midis flukseve të refugjatëve dhe rrezikut që këto flukse mund të sjellin për zhvillimin e turizmit, ndërsa sqaroi se qeveria po përgatit një plan program, pikërisht për të mos patur ulje të treguesve të turizmit.
Tribuna
Ndaje me miqte