Tsipras: Përplasje me korrupsionin zgjidhje me Europën
31 Mars 2015
“Përplasje me korrupsionin, zgjidhje me Europën”, deklaron kryeministri Aleksis Tsipras, duke refuzuar kategorikisht mundësinë e marrjes së masve të reja shtrënguese, që “bien ndesh me deklaratat programatike të qeverisë”.
Kryeministri Tsipras, në intervistë për gazetën “Real News” garanton: “Nuk kemi për të avancuar në reduktim pagash dhe pensionesh, në liberalizimin e pushimeve masive nga puna dhe në asnjë masë tjetër shtrënguese që do të intensifikojë krizën sociale. Përndryshe nuk ekziston sot asnjë njeri serioz në Europë që pretendon se problemi ekonomik i Greqisë do të zgjidhet po të ulim dhe më pensionet apo po të fillojmë të largojmë masivisht njerëzit nga puna”.
Tsipras vlerëson se “problemi i likuiditetit do të përballohet menjëherë me finalizimin e marrëveshjes për reformat” që do të propozojë qeveria dhe nënvizon se nuk diskuton një memorandum të ri apo një kredi të tretë, duke thënë se “marrëveshja e qershorit nuk mund veçse të ketë të bëjë edhe me ndryshimin e kushteve për pagesën e borxhit, si dhe reduktimin e tij. Rrjedhimisht, nga ana jonë nuk shtrohet çështja as për memorandum të tretë, as, sigurisht, për kredi të re”.
Tsipras vë në dukje se një nga objektivat kryesorë të qeverisë është luftimi i korrupsionit dhe thekson se ka filluar shqyrtimi i listës së depozituesve të mëdhenj, hetime për kontrata të dyshimta, ndërsa përbën prioritet konkludimi i tenderit për lejet e frekuencave radiotelevizive.
Për ministrin e financave Varufakis dhe spekulimet për largimin e tij, Tsipras thekson se Varufakis “është një nga kuadrot qendrorë të qeverisë dhe strategjia e tij në negociatat ka të bëjë me një parapërgatitje kolektiv dhe nuk është një qëndrim personal. Natyrisht, ka forca brenda dhe jashtë Greqisë që do të donin të shinin një ndryshim në strategjinë negociuese të qeverisë me qëllim që të hapet rruga për kthimin e memorandumit. Mirëpo një skenar i tillë është diçka më shumë se fantastiko-shkencor për sa kohë që SYRIZA ndodhet në qeverisje”, thekson kryeministri.
Ndaje me miqte