Tsipras: Po hapet rruga për daljen përfundimtare nga kriza
Tribuna
16 Qershor 2017
“Morëm më në fund ato që pretendonim, por edhe ato që na takonin. Dhe tani po hapet rruga për daljen në tregje, për mbarimin përfundimisht -një vit nga sot- të programeve të mbështetjes dhe të memorandumeve që i shoqërojnë, hapet rruga për daljen përfundimtare nga kriza”, deklaroi kryeministri grek, Aleksis Tsipras në një mesazh televiziv drejtuar qytetarëve, pas përfundimit të takimit të Eurogrupit.
“Ndihemi të përligjur, pse vepruam ashtu siç duhej dhe nuk morëm çfarë na jepnin para tri javësh”, shtoi Tsipras. “Morëm përsipër riskun, vumë në lëvizje aleancat tona, por edhe logjikën e ftohtë dhe morëm më në fund atë që kërkonim: Një marrëveshje të rrugëdaljes”.
Sipas Tsipras, angazhimi më i rëndësishëm i vendimit të Eurogrupit, ka të bëjë me angazhimin për mbarimin përfundimtar të memorandumeve në gusht 2018. “Pas zhvillimit të djeshëm, hapet para nesh një rrugë e qartë daljeje”, theksoi.
“Kam vetëdije të plotë për vështirësitë dhe sakrificat e popullit grek gjithë mkëto vite. Mirëpo është tjetër gjë të bësh durim pa një rreze drite. Dhe krejt tjetër të shohësh para teje rrugën e daljes”, vazhdoi Tsipras.
“Sinjali për botën e jashtme, ndaj investitorëve dhe tregjeve për t’i besuar sërish Greqisë, është dhënë ndërkaq dhe është shumë i fuqishëm”, tha kryeministri grek.
“Mirëpo, akoma më i fuqishëm duhet të jetë sinjali brenda Greqisë. Po, mundemi. Mundemi të qëndrojmë sërish në këmbët tona me forcat tona... Të rifitojmë sovranitetin dhe të ardhmen tonë. Mundemi dhe do t’ia arrijmë”, përfundoi Aleksis Tsipras.
Ndaje me miqte