Tsipras: &ldquoQytetarët do të votojnë sërish për SYRIZAn&rdquo.
07 Shtator 2015
Lideri i radikalëve të majtë grekë, Aleksis Tsipras, është shprehur i sigurt se qytetarët do të votojnë masivisht partinë e tij, SYRIZA, në zgjedhjet e 20 shtatorit.
Tsipras prezantoi në Selanik programin qeveritar të SYRIZA-s, ku i mëshohet modeleve bashkëkohore të zhvillimit të ekonomisë. Ndër të tjera programi parashikon modernizimin e legjislacionit për investimet, riorientimin e ekonomisë agrare, reformimin e shtetit dhe posaçërisht të adminiatratës publike.
Sipas ish kryeministrit grek, programi “synon të krijojë kushtet social ekonomike për çlirimin nga politika e shtrëngesës dhe represioni financiar”, si dhe “përmirësimin e marrëveshjes së fundit me kreditorët”.
Gjithsesi, me fjalimin e mbajtur të dielën në mbrëmje, Aleksis Tsipras ka shpalosur, të paktën lidhur me nevojën e reformave, një profil tepër të moderuar, larg radikalizmit dhe më afër qendrës së majtë.
Tsipras ka sulmuar rivalët konservatorë të Demokracisë së Re, të cilët e akuzojnë se “kërkon të fitojë zgjedhjet me qëllim që të shpjerë deri në fund shkatërrimin e Greqisë”.
“Qytetarët do t’i japin fund planit për ringjalljen e një pushteti që falimentoi vendin dhe rrafshoi ekonominë. Do të votojnë sërish SYRIZA-n”, ka theksuar Tsipras.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Demokracisë së Re:
“Populli grek i dha para tetë muajsh shansin zotit Tsipras dhe ai e çoi vendin në katastrofë. Dhe tani kërkon një shans të dytë për çuar deri në fund katastrofën”, theksohet në një deklaratë për shtyp të konservatorëve, menjëherë pas fjalimit të ish kryeministrit.
Shefi i neodemokratëve, Evangelos Meimarakis, ka përsëritur vazhdimisht që sapo Demokracia e Re do të ftohet të marrë përsipër qeverisjen e vendit, do të avancojë pa vonesë në zbatimin e reformave dhe të planit të privatizimeve, ndërsa do të përpiqet të ketë një buxhet financiar të disiplinuar.
Demokracia e Re, që ka inicuar një moderim të vokacionit dhe imazhit të vet, i ka përmirësuar ndjeshëm kuotat në sondazhet, kahasuar me vetëm dy javë më parë.
Shumica e sondazheve i alternojnë në kryesim dy partitë kryesore, SYRIZA-n dhe Demokracinë e Re, duke u dhënë zgjedhjeve të 20 shtatorit karakterin e një thrilleri të vërtetë.
Gjithsesi, shanset më të mëdha për fitore i ka SYRIZA, por deri më tani nuk është e qartë se sa numrat do t’i mundësojnë krimin e një qeverie bashkëpunimi, siç kërkojnë shumica e qytetarëve. E njëjta vështirësi rezulton në sondazhe edhe për Demokracinë e re.
Duket se gjithçka është në dorën e atij grupi të madh votuesisht, rreth 15-19% që ende nuk kanë vendosur se për cilën parti do të votojnë
Në këto kushte, dy forcat kryesore politike në vend, konsiderojnë si vendimtar për të bindur elektoratin, debatin televiziv që do të zhvillojnë dy liderët e tyre, më 14 shtator.
Para këtij debati, Tsipras e Meimarakis, janë fiksuar nga aparati fotografik në një takim rastësor në aeroportin e Kretës, ku kishin shkuar për nevojat e fushatës elektorale.
Ndaje me miqte