Tsipras: &ldquoRruga është e gjatë por tani jemi optimistë&rdquo
Tribuna
27 Korrik 2017
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka përcjellë mesazhe optimiste për përmirësimin e gjendjes së ekonomisë dhe përgjithësisht të imazhit të vendit. Gjatë një interviste për televizionin Alpha, Tsipras theksoi se nuk ka vend për vetëkënaqësi, por nevojitet përkushtim në rrugën për realizimin e programit të tretë të mbështetjes, që përfundon vitin e ardhshëm.
“Planifikojmë të nesërmen me kushte më të mira”
Tsipras shprehu kënaqësinë për daljen e Greqisë në tregjet financiare, duke theksuar se shtypi ndërkombëtar e cilësoi si një rehabilitim të besimit ndaj ekonomisë dhe rikthim dinamik të Greqisë. “Kjo është një ndërhyrje e rëndësishme dhe na ofron mundësinë që të planizojmë të nesërmen me kushte më të mira”, vuri në dukje kryeministri grek.
“Kemi ende rrugë për të bërë, mirëpo kemi sigurinë se më të vështirat i kemi lënë mbrapa”, nënvizoi Tsipras. “Po hapet një rrugë, mirëpo duhet të jemi të përmbajtur, duhet ta përsërisim këtë dalje pozitive në tregje. Planizojmë ta përsërisim, duke arritur një ulje graduale të interesave në muajt e ardhshëm. Dhe në fund, pas një viti nga sot, ta lëmë përfundimisht programet e mbështetjes dhe vendi të mundet që ta sigurojë nga tregjet financimin e vet, me interesa të leverdisshëm”.
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të bëhen të vetëdijshëm se po hapet një rreze shprese, duke theksuar që rruga është e gjatë, por mund të jemi optimistë.
“Mund ta vështrojmë me më shumë optimizëm të ardhmen, por kjo nuk do të thotë se do të ketë një ndryshim magjik të pamjes, nga njera ditë në tjetrën”.
Optimist u shpreh kryeministri edhe për ndryshimin e imazhit të qeverisë së tij, duke theksuar se do t’i fitojë sërish zgjedhjet, kur ato të mbahen.
Ndërkaq, Tsipras vuri në dukje se ka një gjendje pritshmërie te qytetarët dhe se klima e trysnisë që ekziston për një pjesë të madhe të shoqërisë, në asnjë rast nuk përkthehet në rritje të dinamikës së opozitës.
Ndaje me miqte