Tsipras: &ldquoVazhdojmë betejën nga pozita më të mira&rdquo
02 Shkurt 2016
Artikull i kryeministrit grek Aleksis Tsipras, me rastin e njëvjetorit të qeverisjes nga SYRIZA
“Avancojmë në rindërtimin e atdheut tonë, duke kapërcyer krizën dhe duke rifituar sovranitetin tonë”, thekson kryeministri grek, Aleksis Tsipras, në një artikull që botohet të dielën në gazetën e partisë, “Avgi” për një vjetorin e qeverisjes së të majtës. Tsipras nënvizon se “Greqia do të bëjë hapin e madh përpara. Do të fitojë betejën e demokracisë, të rindërtimit, të drejtësisë sociale dhe të solidaritetit, duke e hapur këtë rrugë për gjithë Europën”.
Në artikullin e tij me titull “Vazhdojmë betejën nga pozita më të mira”, kryeministri e cilëson 25 janarin 2015 ditë historike. “Eshtë dita që populli grek vendosi, sovran dhe krenar, të hapë një rrugë të re për vendin. Dhe i caktoi për herë të parë të majtës përgjegjësinë për të udhëhequr këtë rrugë të gjatë, të vështirë dhe shpresëdhënëse. Një rrugë për rindërtimin ekonomik, produktiv dhe shoqëror, për një shtet me kredibilitet dhe drejtësi sociale, forcimin e institucioneve demokratike dhe një administratë publike eficente në shërbim të qytetarëve”, vë në dukje kryeministri, i cili, duke iu referuar vitit të parë të qeverisjes, deklaron: “E dinim shumë mirë se kjo rrugë nuk ishte as e shkurtër, as pa dhimbje, do të kishte përplasje me interesa të fuqishme dhe kërkonte ndërhyrje në patologjitë që e sollën Greqinë dhe popullin e saj në buzë të katastrofës. Jemi krenarë që, me gjithë vështirësitë dhe pengesat, mundemi të vazhdojmë betejën nga pozita më të mira, me objektiv daljen nga kriza me drejtësi dhe demokraci”.
Kryeministri vë në dukje se qeveria e të majtës mori më 25 janar 2015 përgjegjësi historike, jo vetëm për popullin, por edhe për të majtën europiane dhe botërore. “Ishim të vetëdijshëm se beteja që filluam në Greqi ishte një betejë për gjithë Europën. E dinim se Europa progresiste dhe sociale kishte drejtuar tek ne vëmendjen dhe pritshmëritë e veta. Nuk na lejohej të dështonim. Prendaj zgjodhëm të qëndrojmë në lartësinë e përgjegjësive tona, duke marrë barrë që nuk na takonin. Rruga ndërkaq u hap. Në Europë nuk jemi vetëm. Avancojmë me aleanca që fuqizohen vazhdimisht, duke krijuar një dinamikë reale të ndryshimit të raporteve”.
Tsipras e cilëson vitin e dytë të qeverisjes si “vit të shkëputjes nga e vjetra”. “Duke shkelur më në fund fort, po shkojmë drejt një viti të ri të ndarjes nga e kaluara. Po përfundojmë me sukses inspektimin (nga institucionet e kreditorëve), duke përshpejtuar lehtësimin e borxhit. Avancojmë në rindërtimin e atdheut tonë, duke kapërcyer krizën dhe duke rifituar sovranitetin tonë”.
“Po fillojmë betejën e madhe për zhvillimin ekonomik dhe rehabilitimin e plagëve sociale, për rikthimin e kontratave kolektive dhe të të drejtave të punëtorëve, për reformat e mëdha që ka nevojë shoqëria jonë. Po i zgjidhim kontradiktat dhe problemet e krijuara gjatë dekadave të qeverisjes nga sistemi politik, duke funksionuar gjithmonë në favor të shtresave më të dobta. Po godasim korrupsionin dhe po vendosim në çso aspekt të jetës publike transparencën”, nënvizon më tej Tsipras.
Greqia do të bëjë hapin e madh përpara, thekson kryeministri grek, duke vënë në dukje se “SYRIZA përbën tashmë një formacion demokratik të majtë me përvojë, që përfaqëson njerëzit e punës dhe të kulturës, njerëzit e krijimit dhe të risive”.
“Me besim në forcat tona dhe me mbështetjen e popullit grek do t’ia arrojmë. Greqia do të bëjë hapin e madh përpara. Do ta fitojë luftën për demokraci, për rindërtim, për drejtësi sociale dhe solidaritet, duke hapur këtë rrugë për gjithë Europën”, përfundon kryeministri grek.
Ndaje me miqte