Tsipras në dy vjetorin e ardhjes në pushtet
TRIBUNA
25 Janar 2017
“Nuk ka asnjë gjasë që të marrim as edhe një euro masa të reja”, ka garantuar kryeministri grek, Aleksis Tsipras, në një intervistë me rastin e dy vjetorit të ardhjes në pushtet të SYRIZA-s (25 janar 2015).
Duke folur për të përditshmen “Efimerida ton Syntakton”, Tsipras thotë: “Kemi deklaruar në mënyrën më kategorike se nuk ka gjasa të marrim as edhe një euro masa të reja, përtej atyre që parashikon marrëveshja (me kreditorët)”. Tsipras shtoi se aq më tepër nuk ka gjasa të merren masa të reja pas përfundimit të programit.
Përndryshe, ka vazhduar kryeministri grek, “kërkesa për masa të reja e shtruar si kusht, është e huaj për Kushtetutën, por edhe për demokracinë dhe vlerat europiane”. Sipas tij, “kjo nuk është një çështje që i përket një qeverie, por është çështje dinjiteti dhe vetërespekti e një populli dhe e një vendi”.
Tsipras i bën thirrje Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që të marrë me sinqeritet përgjegjësinë për programin e shpëtimit të Greqisë. Të njëjtën thirrje e drejton edhe ndaj shefit të opozitës greke, që të pozicioniet ndaju “kërkesave absurde të FMN-së”.
Aleksis Tsipras mbron me zjarr nënshkrimin e marrëveshjes me kreditorët në verën e 2015-s, duke thënë se ajo ishte “dukshëm një përshtatje shumë më e butë fiskale”.
I pyetur nëse mendoi njdonjëherë të shtronte çështjen e daljes së vendit nga eurozona, kryeministri grek është kategorik:
“Më pyesni nëse mendova ndonjëherë të shtroj unë çështjen që e shtronte përfaqësuesi më i ashpër i palës tjetër (shënimi ynë: nënkupton ministrin gjerman të financave, Schauble)? Po ky do të ishte një budallallëk apo tradhëti e vërtetë!”.
Në intervistë, kryeministri Tsipras bën një bilanc analitik të qeverisjes dyvjeçare, duke theksuar: “Për të gjitha këto jemi krenarë, por edhe të vendosur që të vazhdojmë luftën e përditshme”.
I pyetur për skenarët e zgjedhjeve të parakohshme, Tsipras shprehet kundër mbajtjes së tyre, jo pse ka frikë, siç sqaron, por sepse “tani nuk kanë asnjë kuptim”. Përndryshe, shton, “gjithmonë ishim mbrapa në sondazhet, por zgjedhjet i fitonim”.
Ndaje me miqte