Tsipras skicon rrugën për daljen e Greqisë nga kriza
TRIBUNA
22 Shtator 2016
Në një intervistë për agjencinë Reuters, kryeministri grek Aleksis Tsipras ka skicuar rrugën që ai shpreson se më në fund do të mundësojë daljen e vendit nga kriza ekonomike shtatëvjeçare. Sipas tij, kjo do të arrihet duke mbajtur rritjen pozitive për këtë vit dhe dhe një kthim të pjesshëm në tregun e bondeve, vitin e ardhshëm.
Tsipras i tha Reuters-it, se të ardhurat publike nga flukset e turistëve kanë qenë të fuqishme dhe se Greqia sivjet mund të shënojë një rritje ekonomike midis 0,2 - 0,4%, shumë më lart nga parashikimet europiane për tkurrje 0,3%.
I pyetur nëse beson që Greqia mund të realizojë apo tejkalojë parashikimin e Eurostat për rritje ekonomike 2,7% vitin e ardhshëm, Tsipras tha se parashikimet deri tani janë tejkaluar dhe se pret “të njëjtën gjë” edhe për vitin 2017. Por kryeministri theksoi se kjo do të varet nga mesazhet që u janë dërguar tregjeve financiare si dhe nga rikthimi apo jo i investimeve të huaja.
Tsipras gjithashtu tha se shpreson që në gjashtë muajt e ardhshëm Greqia të përfshihet në programin e lehtësimit sasior të Bankës Qendrore Europiane (BQE). Aktualisht Greqia është e përjashtuar nga ky program, për shkak të vlerësimit të ulët të aftësisë huamarrëse. Nëse kjo ndodh, tha Tsipras, atëherë do të mund të provojmë interesimin e tregjeve për borxhin grek, vitin e ardhshëm. “Besoj se ky do të jetë një mesazh i fuqishëm se jemi të gatshëm të përgatisim procesin e emetimit të bondeve”, tha kryeministri grek.
Tsipras vuri në dukje se aftësia e Greqisë që të emetojë një numër bondesh vitin e ardhshëm, dhe të kthehet plotësisht në tregjet financiare në 2018, do të varet nga disa faktorë.
- Nëse do të ketë apo jo lehtësim të borxhit grek,
- Nëse përmirësohen ritmet e zhvillimit ekonomik,
- Nëse BQE konkludon se borxhi grek është i qëndrueshëm dhe se Greqia mund të mbijetojë brenda mundësive të veta.
Greqia, vendi me më shumë huara Eurozonë, ka një borxh më shumë se 175% në raport me GDP-në. “Një pengesë aspak e papërfillshme është nëse lehtësimi i borxhit do të ndodhë para zgjedhjeve gjermane të vitit 2017”, komenton agjencia Reuters dhe shton: “Kancelarja Angela Merkel, nën presionin politik për shkak të krizës europiane të refugjatëve, por edhe armiqësisë së brendshme ndaj financimeve të vazhdueshme për Greqinë, ka përpara saj sfidën e zgjedhjeve parlamentare në fund të vitit 2017, por nuk ka deklaruar ende nëse do të kandidojë për të katërtën herë”.
Aleksis Tsipras, që ka deklaruar se do të verë kravatë vetëm nëse Greqia përfiton lehtësim të borxhit, buzqeshi kur u pyet për premtimin e tij dhe nëse ishte i zemëruar me Gjermaninë për vonesat në shqyrtimin e kësaj çështjeve”, shënon Reuters.
“Eshtë një çështje shumë serioze. Nuk ka të bëjë vetëm me kravatat”, përgjigjet Tsipras dhe shton: “Europa duhet të vazhdojë ecjen përpara, pavarësisht zhvillimeve të brendshme dhe proceseve zgjedhore të çdo vendi. Duhet të vështrojmë interesat e përbashkëta dhe problemet e nivelit mikropolitik”.
Lidhur me fazën e dytë të negociatave me kreditorët, Tsipras tha se pret që të finalizohet deri në fund të tetorit dhe pretendoi se faza e parë e negociatave në pranverë, i kishte zgjidhur çështjet më të nxehta. Sipas tij, Athina priste në muajin maj një mesazh të qartë nga kreditorët se kriza kishte kaluar. Mirëpo, siç thotë, “ në thelb dëgjuam që nuk jemi dakord me masat për borxhin, prisni deri në fund të vitit”.
“Kjo është e padrejtë për Greqinë. Jam i bindur se partnerët tanë e kuptojnë këtë dhe se deri në fund të vitit do të kenë dhënë zgjidhje, me qëllim që të na lejohet të përfshihemi në lehtësimin sasior dhe që paskëtaj do të hapë rrugën për një akses të suksesshëm të Greqisë në tregjet financiare”, përfundon Tsipras.
Ndaje me miqte