Tsipras telefonatë me Ramën: &ldquoRetorika nacionaliste minon klimën e besimit&rdquo
TRIBUNA
22 Nentor 2016
Kryeministrat e Shqipërisë e të Greqisë kanë bërë të enjten një përpjekje të parë për të zbutur ngricat e kohëve të fundit në raportet midis Tiranës e Athinës.
Të enjten në mesditë, Edi Rama dhe Aleksis Tsipras kanë zhvilluar një bisedë telefonike.
Sipas zyrës së shtypit të kryeministrit grek, iniciatori i telefonatës ka qenë shefi i qeverisë shqiptare.
Njoftimi i publikuar në Athinë, vë fillimisht në dukje se të dy kryeministrat kanë diskutuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, gjë për të cilën Tsipras e Rama janë pajtuar se kjo është në dobi jo vetëm të të dy popujve, por edhe të gjithë rajonit.
Gjithmonë sipas njoftimit, kryeministri grek ka nënvizuar nevojën për hapa esencialë dhe rezultate konkrete në bashkëpounimin dypalëshe, për të cilin siç tha, Greqia ka promovuar një sërë iniciativash.
Zoti Tsipras theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj këtij objektiv, nënvizohet në njoftimin e zyrës së shtypit të kryeministrit grek.
Por Tsipras ka theksuar ndërkaq se incidentet e javëve të kaluara, por edhe retorika naciopnaliste përherë në rritje e palës shqiptare, minojnë krijimin e klimës së besimit që është e domosdoshme për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Në fund, Tsipras ka nënvizuar se mbrojtja e të drejtave të minoritetit grek përbën një çështje madhore në axhendën e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe kusht bazik për progresin në integrimin europian të Shqipërisë, përfundon njoftimi i zyrës së shtypit të kryeministrit grek.
Ndaje me miqte