0030 210 33 18 483

TsiprasPutin: Hidhen bazat për një rifillim dinamik të marrëdhënieve

08 Prill 2015

Kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe presidenti rus Vladimir Putin thanë pas takimit të tyre në Moskë, që zgjati më shumë se dy orë e gjysmë, se kanë hedhur bazat për ristartimin dinamik të marrëdhënieve dypalëshe. Në konferencën për shtyp që pasoi, Putin vërejti qysh në fillim se shkëmbimet tregtare midis të dy vendeve shënuan vitin e fundit një ulje prej 40% për shkak të sanksioneve europiane ndaj Rusisë dhe kundërsanksioneve që vendosi Moska. Megjithatë, Putin tha se hapësirat për bashkëpunimin dypalësh janë të gjera, duke filluar që nga ekonomia e duke u shtrirë në energji, turizëm e investime. Sipas presidentit rus, Moska dëshiron që Greqia të jetë një nga qendrat kryesore të shpërndarjes së gazit rus në Europë, ndërkohë që Aleksis Tsipras ka hedhur idenë e ndërtimit të një gazsjellësi nga kufiri me Turqinë, në brendësi të territorit grek. Ndërkaq, të dy liderët nuk janë shprehur qartë nëse Rusia do të heqë embargon për importin e produkteve bujqësore greke, pavarësisht se Tsipras theksoi që ekonomia greke po vuan pasoja të rënda nga kjo embargo. Udhëtimi i kryeministrit grek në Moskë kishte shkaktuar diskutime dhe kritika të shumta nga politika dhe media europiane e ndërkombëtare. Por kryeministri grek ka deklaruar në prani të presidentit rus se Greqia respekton gjithë angazhimet e veta në organizmat ndërkombëtarë, por nga ana tjetër është një vend sovran dhe ushtron një politikë të jashtme multidimensionale. Tsipras madje përjashtoi skenarët që e sjellin Athinën ta konsiderojë Rusinë si një alternativë shpëtimi, në rast se partnerët europianë e lenë në baltë Greqinë. Kryeministri grek përsëriti bindjen se Europa nuk do ta braktisë Greqinë dhe theksoi se “ne do t’i zgjidhim problemet brenda në Europë, por nuk duhet të harrojmë se jemi edhe një vend sovran”. Ndërkohë, presidenti rus tha se Moska nuk përdor asnjë “Kalë Troje” ndaj BE-së dhe q më pak Greqinë, ndërsa deklaroi se kryeministri grek nuk kërkoi ndihmë financiare apo kredi nga Rusia.

Ndaje me miqte