Tsipras asiston në ceremonitë për Fidel Kastron në Kubë. Kritika nga media dhe opozita
TRIBUNA
30 Nentor 2016
Vendimi i kryeministrit grek, Aleksis Tsipras për të asistuar në homazhet për nder të Fidel Kastros në kryeqytetin e Kubës, Havanë, ka shkaktuar reagime të fuqishme në Greqi.
Tsipras mbërriti në Havanë në hënën, dhe pritet të kthehet në Athinë të enjten.
“Eshtë nder i madh dhe emocion të gjendem në Kubë për t’i bërë homazhe një udhëheqësi të madh, që frymëzoi jo vetëm popullin kuban dhe popujt e Amerikës Latine, por edhe flakën e revolucionit në të gjithë botën”, deklaroi Tsipras, sapo mbërriti në Havanë.
Më pas, kryeministri grek mbajti edhe një fjalim të përmortshëm.
“I japim sot lamtumirën një simboli të përbotshëm të luftës dhe rezistencës që me shembullin e tij frymëzoi betejat e popujve në të gjithë botën. Beteja për pavarësi, liri, drejtësi dhe dinjitet”, theksoi Tsipras.
“Kuba e Fidelit na mësoi se rruga drejt socializmit nuk është e shtruar me lule”, tha më tej kryeministri grek, duke shtuar se “edhe ne, në Greqinë e largët po bëjmë betejën tonë për drejtësi dhe dinjitet. Dhe në këtë betejë shembulli i Fidelit na shoqëron dhe do të shoqërojë gjithmonë”.
Shumë prej gazetave të mëdha greke kanë kritikuar me ashpërsi praninë e kryeministrit Tsipras në homazhet për Fidel Kastron.
“Liderët e vendeve të mëdha si SHBA, Gjermania, Franca dhe Rusia nuk do të jenë të pranishëm në ceremonitë për Fidel Kastron. Vetëm Aleksis Tsipras vendosi të shkojë në Kubë për t’i dhënë lamtumirën Kastros”, vëren gazeta Eleftheros Tipos.
Ndërsa gazeta To Vima është ndalur në krahasimin që Tsipras i bëri revolucionit të udhëhequr nga Fidel Kastro me revolucionin grek të 1821-shit.
“Askush nuk pati deri më sot guximin të karahasojë revolucionin grek që përmes gjakut të mijëra heronjve lindi ky shtet, me regjimin e Kastros, që në mos gjë tjetër është krejtësisht i diskutueshëm 50 vitet e fundit. Kryeministrit tonë, shumë thjesht, do të duhej t’i vinte turp”, nënvizon To Vima.
Gazeta të tjera kanë publikuar shkrime të cilat dëshmojnë karakterin totalitar të sistemit që instaloi Fidel Kastro.
Aleksis Tsipras vendosi të shkojë në Kubë, ndërsa gjenden në momentin më kritik negociatat e qeverisë me kreditorët, prej nga varet financimi i mëtejshëm i vendit. Pikërisht te ky fakt janë kapur më së shumti partitë e opozitës, duke iu shmangur komenteve politike për Fidel Kastron, një figurë që gëzon mjaft popullaritet në Greqi
Partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, thekson në një deklaratë se “kryeministri nuk mund të marrë arratinë e t’u largohet përgjegjësive të veta me një udhëtim në Kubë”.
Ndërsa kreu partisë To Potami, Stavros Theodorakis, vë në dukje se Tsipras “nuk mund të jetë në të njëjtin moment, edhe me Merkelin, edhe me Kastron”.
Ndaje me miqte