0030 210 33 18 483

Tsipras e hedh në referendum marrëveshjen me partnerët

27 Qershor 2015

Në Greqi do të zhvillohet referendum për miratimin ose jo të marrëveshjes me kreditorët. Një ora pas mesnate, duke u gdhirë e shtunë, kryeministri Aleksis Tsipras njoftoi se referendumi do të mbahet më 5 korrik dhe se pyetja që do të shtrohet do të jetë nëse pranohet apo jo marrëveshja me kreditorët. Gjatë një mesazhi televiziv, Tsipras tha se vendimi për referendum ishte një iniciativë e tij, që u miratua nga këshilli i ministrave. Të shtunën pasdite do të mblidhet parlamenti për të ratifkuar vendimin për referendum. Projekti i kreditorëve, “poshtërues” Tsipras iu referua përpjekjeve të palës greke për një marrëveshje, siç tha, të qëndrueshme dhe vuri në dukje se gjithë këtë periudhë u kërkua nga qeveria greke që të zbatonte politika shtrëngese dhe therksoi se ai vetë për asnjë çast nuk mundoi të nënshtrohej dhe të tradhëtonte besimin e popullit grek. Ndërkaq, tha Tsipras, partnerët konkluduan në një propozim - ultimatum, që bie ndesh me vlerat dhe parimet e Europës. Kemi barrën e përgjegjësisë historike që t’i përgjigjemi ultimatumit, theksoi kryeministri grek. Tsipras e cilësoi projektmarrëveshjen e paraqitur nga kreditorët si “një poshtërim” dhe masat e propozuara si të papranueshme. “Propozimet e kreditorëve janë një shkelje direkte e arritjeve sociale europiane dhe të drejtat themelore në punë, në barazi dhe në dinjitetin njerëzor; dëshmojnë se synimi i disave prej partnerëve dhe institucioneve nuk është një marrëveshje e dobishme për të gjitha palët, por poshtërimi i një populli të tërë”, theksoi Tsipras në mesazhin e tij. Tsipras tha se komunikoi me kancelaren Merkel, presidentin francez Hollande dhe presidentin e bankës Qendrore Europiane, Draghi, të cilët i informoi mbi vendimin për referendum. Kryeministri grek shtoi se të shtunën do të kërkojë zyrtarisht nga liderët e BE një shtyrje disaditore të programit aktual të shpëtimit, me qëllim që, siç tha, “populli grek të vendosë i lirë nga presionet dhe shantazhet”. Kryeministri Tsipras e la qartë të kuptohej në fjalët e tij se ai dhe qeveria kërkojnë që të votihet kundër projektmarrëveshjes. “Ndaj autoritarizmit dhe shtrëngesës së ashpër, të përgjigjemi me demokraci, me gjakftohtësi dhe me vendosmëri”, tha Tsipras, që gjithsesi deklaroi angazhimin e tij se do të respektojë rezultatin e referendumit, cilido që të jetë ai. Opozita: Referendumi për euron apo dhrahminë Gjithë partitë opozitare kanë kundërshtuar në bllok vendimin e kryeministrit për referendum. Kryetari i Demokracisë së re, Antonis Samaras, deklaroi se referendumi nuk duhet të bëhet pro ose kundër marrëveshjes, por pro ose kundër perspektivës europiane të Greqisë. “Zoti Tsipras e solli vendin në një qorrsokak absolut, ndërmjet një marrëveshjeje të papranueshme dhe daljes nga Europa”. Sipas zotit Samaras, “marrrëveshja e papranueshme e institucioneve pak ndryshim ka nga ajo që vetë Tsipras propozoi para pak ditësh” dhe nënvizon se “sot Tsipras po e çon vendin në referendum me pyetjen Po ose Jo Europës, që do të thotë “përplasje me gjithë partnerët dhe dalje nga euro”. Partia To Potami e fton popullin që të luftojë për të mbetur Greqia në këmbë dhe brenda në Europë. Kreu i kësaj partie, Stavros Theodorakis, e akuzoi kryeministrin dhe partnerin e tij qeveritar se dështuan dhe vendosën të udhëheqin lobin e dhrahmisë. “Aleksis Tsipras dhe Panos kammenos vendosën. Të udhëheqin lobin e dhrahmisë. Ta nxjerrin vendin nga Bashkimi Europian. Të hedhin atdheun në greminë... Ta dinë se grekët nuk do të dorëzojnë jetët e tyre dhe të ardhmen e fëmijve në duart e aventurierëve... Do të luftojmë të gjithë bashkë për një Greqi të fortë, në këmbë në zemër të Europës”. Edhe kryetarja e PASOK-ut, Fofi Gennimata, thekson se dilema e referendumit duhet të jetë Po ose Jo Europës. “Pyetja e vërtetë që shtrohet në mënyrë shantazhuese është “po apo jo” Europës dhe perspektivës europiane të vendit”, nënvizoi zonja Gennimata dhe shprehu besimin për verdiktin e popullit grek dhe gjykimin e tij. “Shumica dërrmuese e grekëve dëshiron dhe kërkon që Greqia të ketë pjesëmarrje të barabartë në zhvillimet europiane dhe në zonën e euros”, theksoi kryetarja e PASOK-ut. Tribuna

Ndaje me miqte