Tsipras fluturon me bombarduesin F16 në prag të takimit me presidentin amerikan
Tribuna
13 Tetor 2017
Kryeministri grek Aleksis Tsipras, ka kryer një fluturim të pazakontë. Ai nuk ka përdorur avionin qeveritar Falcon, por është bërë pjesë e ekuipazhit në një bombardues F-16 të forcave ajrore greke.
Avioni është ngritur nga baza e Larisas dhe ka fluturuar përmbi detin Egje.
Më pas, Tsipras deklaroi se kishte përjetuar një nga eksperiencat më tronditëse, kryesisht për shkak të lartësisë dhe shpejtësisë me të cilën fluturonte avioni.
Fluturimi me avion luftarak i kryeministrit grek, është interpretuar si një mesazh ndaj Ankarasë, teksa statusi i detit Egje përbën pikën më të nxehtë të fërkimit midis dy vendeve fqinje. Athina reagon vazhdimisht për shkeljen e hapësirës ajrore nga aviona luftarakë turq, por deri tani janë shmangur incidentet e rrezikshme.
Analistët i japin dhe një tjetër dimension aktit spektakolar të kryeministrit grek, vetëm pak orë para nisjes për në Shtetet e Bashkuara, ku të martën do të pritet nga presidenti Donald Trump.
Përveç gjithë çështjeve të tjera që ka në axhendë, Tsipras shpreson të kthehet nga Uashingtonim me një marrëveshje mbi përmirësimin e bombarduesve ekziastues F-6, si dhe blerjen e një skuadriljeje të bombarduesve tepër të avancuar E-35.
I gjithë projekti që pritet të zgjasë 7 vjet, do të kushtojë më shumë se 1 miliard euro. Athina e ka dërguar faktikisht kërkesën dhe tashmë pret përgjigjen amerikane. Ndërsa amerikanët, nga ana e tyre, presin një përgjigje nga pala greke për rinovimin e statusit të bazës ushtarake të Sudas, në ishullin e Kretës. Muajin e kaluar të dy vendet nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që ndër të tjera mundëson fuinksionimin e bazës për një vit, deri në nëntor 2018.
Tsipras dhe partia e tij SYRIZA kanë qenë kampionë të qëndrimeve të thekasara antiamerikane. Por që nga marrja e pushtetit në 2015, ky qëndrim ka ndryshuar dukshëm, për shkak të pragmatizmit të Aleksis Tsipras, por edhe mbështetjes së vazhdueshme politike që Uashingtoni i ka ofruar Athinës gjatë gjithë viteve të krizës.
Ndaje me miqte