Tsipras ftohet nga Trump për takim në Shtëpinë e Bardhë
Tribuna
30 Shtator 2017
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras do të vizitojë Uashingtonin, pas ftesës së drejtuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Sipas burimeve të shtypit, vizita do të zhvillohet sipas të gjitha gjasave midis 17 dhe 18 tetorit. Njoftimi zyrtar nga Shtëpia e Bardhë pritet të publikohet ditët e ardhshme.
Gjatë takimit të dy liderëve pritet të diskutohen tema si reduktimi i borxhit grek dhe qëndrimi i FMN-së ndaj kësaj çështjeje, investimet, problemi i Qipros, marrëdhëniet greko-turke, por edhe e ardhmja e bazës ushtarake amerikanë në Suda të Kretës.
Vizita konsiderohet si tepër e rëndësishme, pasi do të realizohet në një periudhë përcaktuese për Greqinë. Nuk pritet që presidenti Trump të komunikojë një ndryshim drastik të qëndrimit në çështjen e ekonomisë, por vlerësohet se do t’i referohet nevojës për investime në Greqi dhe do të mbështesë reduktimin e borxhit grek. Sa për çështjen e rinovimit të memorandumit për bazën e Sudas, Uashingtoni dëshiron që në këtë vizitë të marrë “OK”-jn e kryeministrit grek.
Programi zyrtar i vizitës së Aleksis Tsiprasit në Uashnigton pritet të bëhet publik javën e ardhshme. Vlerësohet se kryeministri grek do të mbërrijë në Shtetet e Bashkuara para datës 17 tetor, për të zhvilluar një sërë takimesh të tjera.
Pas Uashingtoni, kryeministri grek do të shkojë direkt në Bruksel, ku më 19 dhe 20 tetor do të zhvillohet samiti i parë i sezonit.
Ndaje me miqte