Tsipras fton investitorët amerikanë të ruajnë dhe të shtojnë prezencën në Greqi
Tribuna
12 Dhjetor 2017
“Toka e shansit i ka dyert e hapura për investime fitimprurëse. Greqia është rikthyer, është këtu dhe ju fton të bëheni pjesë e saj”, ka theksuar kryeministri grek Aleksis Tsipras, me një mesazh të regjistruar që u prezantua në konferencën vjetore për Greqinë që organizoi në Nju Jork forumi Capital Link.
Në mesazhin e vet Tsipras thekson se është në gjendje të thotë se përpjekjet e qeverisë kanë sjellë rezultate të fuqishme. Ekonomia greke pas vitesh recesioni po zhvillohet sërish dhe pritet që të ketë një rritje prej 2,5% në 2018-n, ndërsa papunësia është ulur dhe investimet e huaja u shtuan gjatë nëntëmujorit të fundit.
“Kemi shënuar një performancë maksimale në objektivat fiskalë”, vazhdoi Tsipras, duke vënë në dukje se investitorët amerikanë janë nga më të mëdhenjtë në Greqi dhe pret që të vazhdojnë të jenë të tillë, me qëllim që të shfrytëzojnë perspektivat e zhvillimit të vendit.
Më tej Tsipras u ndal në vendosmërinë për forcimin e lidhjeve të të dy vendeve, siç duket nga fakti se SHBA-të do të jenë i ftuari i nderit në panairin e Selanikut, vitin e ardhshëm. Më herët, Greqia do të ketë dalë nga programi i shpëtimit në gusht 2018, tha Tsipras dhe shtoi se në kuadër të kësaj jemi të gjithë të fokusuar absolutisht në kapitullin tjetër për Greqinë, përtej shtrëngesave.
Ndaje me miqte