0030 210 33 18 483

Tsipras garanton liderët e BE për reformat me qëllim zhbllokimin e parave

20 Mars 2015

Liderët e Bashkimit Europian thanë se Greqia ka rënë dakord të paraqesë një plan të ri reformash, brenda ditëve të ardhshme, me qëllim që të sigurojë fonde shtesë për shpëtimin e nevojshëm, me qëllim që të shmanget falimentimi i vendit. Ky zhvillim erdhi pas bisedimeve maratonë midis kryeministrit grek Aleksis Tsipras me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe liderë të tjerë europianë, në Bruksel. Zoti Tsipras deklaroi pas këtij takimi se ishte “më optimist”. Takimi, që ishte kërkuar të mërkurën nga zoti Tsipras, u zhvillua të enjten në mbrëmje dhe në të morën pjesë, përveç kryeministrit grek, kancelarja Merkel, presidenti Hollande, Draghi i Bankës Qendrore Europiane, presidenti i Komisionit Europian Juncker, kryetari i Këshillit Europian Tusk dhe kreu i Eurogrupit Dijsselbloem. Në komunikatën që u publikua në ora 03,30 pas mesnate (sipas orës së Greqisë), pak pas përfundimit të takimit, në Bruksel, thuhet ndër të tjera: “Pranojmë absolutisht marrëveshjen e 20 shkurtit 2015. Në frymë të besimit reciprok, angazhohemi të përshpejtojmë punën tonë dhe ta finalizojmë sa më shpejt që të jetë e mundur. Në kuadër të marrëveshjes të Eurogrupit të 20 shkurtit, autoritetet greke do të kenë përgjegjësinë për zbatimin e reformave dhe do të prezantojnë një listë të plotë reformash konkrete ditët e ardhshme. Konfirmuam sërish praktikën për procedurat: Bisedimet për çështje politike do të zhvillohen në Bruksel. Misionet për mbledhjen e informacioneve do të realizohen në Athinë. Eurogrupi është i gatshëm të mblidhet sa më shpejt që të jetë e mundur”. Tsipras: “Do t’i realizojmë reformat” “E vendosëm sërish procesin në binarë”, deklaroi kryeministri Aleksis Tsipras, pas përfundimit të takimit shtatëpalësh. Ai theksoi se gjithë palët rikonfirmuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim, me qëllim që të përballohen vështirësitë. Kryesisht, shtoi kryeministri, të gjitha palët rikonfirmuan leximin e përbashkët të vendimit të Eurogrupit të 20 shkurtit. Eshtë e qartë se Greqia nuk ka detyrimin që marrë masa shtrënguese, nënvizoi kryeministri dhe shtoi se qeveria do të paraqesë propozimet e veta për reforma strukturore, të cilat do t’i realizojë. Sipas Tsipras, pati një rikonfirmim të gatishmërisë së të gjitha palëve që të punojnë sa më shpejt që të jetë e mundur me qëllim që të rehabilitohet financimi i ekonomisë greke. Merkel-Hollande: Zbatim i programit me frymë besimi reciprok “Kishim një bisedë të qetë dhe kolektive”, deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel pak pas përfundimit të takimit të shtatëshes për Greqinë, në Bruksel. Merkel theksoi se të gjitha palët u angazhuan për zbatimin e marrëveshjes së Eurogrupit të 20 shkurtit. “Në frymë besimi reciprok u angazhuam të përshpejtojmë zbatimin e programit dhe qeveria greke pritet të tregojë përgjegjësi të plotë për reformat”, tha kancelarja. Merkel tha se ditët e ardhshme qeveria greke do të dërgojë një listë të kompletuar me reforma konkrete dhe shtoi se kryeministri grek sqaroi se bisedimet politike midis institucioneve do të zhvillohen në Bruksel. “Nuk është fjala për një listë të parë, po për një listë të kompletuar me reforma”, theksloi Merkel, duke iu referuar angazhimit personal nga ana e kryeministrit grek për ta dërguar menjëherë listën. Sa i përket disbursimit të këstit financiar, kancelarja gjermane e bëri të qartë se kjo do të bëhet mbi bazën e vlerësimit pozitiv të programit. Nga ana e vet, presidenti i Francës, Francoise Hollande deklaroi: “Duam të qëndrojë Greqia në Eurozonë dhe qeveria greke dëshiron të njëjtën gjë”. Sipas tij, përderisa pala greke intensifikon ritmet e veta, do të mblidhet së shpejti një takim i Eurogrupit që do të vendosë për disbursimin e kësteve që i janë akorduar vendit. Hollande deklaroi gjithashtu se nuk pati diskutime të ashpra gjatë takimit dhe se është i qartë vullneti politik i kryeministrit grek që të mbetet vendi në zonën e euros. Ai shtoi se reformat do të shqyrtohen në prizmin fiskal dhe se hapësirat kohore për Greqinë janë tashmë të ngushta.

Ndaje me miqte