Tsipras kërcënon me veto në BE po të mos respektohet marrëveshja për refugjatët
24 Shkurt 2016
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, gjatë një fjalimi në parlament, të mërkurën në mbrëmje, theksoi se ka një dobësi nga ana e Bashkimit Europian për të menaxhuar krizën e refugjatëve. Menaxhimi i deritanishëm është zhgënjyes, tha Tsipras.
Kryeministri grek vuri në dukje se disa nuk e kuptojnë se rregullat janë të përbashkëta për të gjithë: Ose nuk do të ketë rregulla se marrëveshjet duhen respektuar prej të gjithëve, ose nuk do të ketë marrëveshje, nënvizoi kryeministri grek.
Ai theksoi se verën e kaluar Greqia “u vu me shpatulla për muri në emër të rregullave të përbashkëta dhe befas po rezulton se respektimi i rregullave prek vetëm disa (prej shteteve anëtare)”.
Kryeministri grek shtoi se përtej kësaj, po ndodh diçka edhe më e keqe, që ka të bëjë me funksionimin e Europës dhe që konsiston në atë se “vendime që merren në nivel të samiteve, anulohen nga tubime të vendeve të BE-së, por edhe të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së dhe ndodhen në itinerarin ballkanik”.
Tsipras e cilësoi të papranueshëm faktin që një vend me histori të madhe në BE, Austria, të organizojë “takime pa pjesëmarrjen e vendeve të interesuara”.
“Eshtë turp që vendimnet që morën kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së të nëpërkëmben nga disa gjoja konferenca”, shtoi Tsipras.
“Duke folur me gjuhë jo të ashpër, por të përgjegjshme, do të them se Greqia nuk mund të veçse të kërkojë nga të gjithë sjellje me përgjegjësi, ashtu siç me përgjegjësi sillet edhe vetë”, theksoi kryeministri, duke shtuar se Greqia do të kërkojë zbatimin e menjëhershëm të gjithçkaje që është dakorduar për çështjen e refugjatëve.
“Ose BE do të funksionojë me rregulla të përbashkëta, ose secili do të bëjë sipas kokës së vet; këtë nuk e pranojmë”, tha në vazhdim kryeministri grek, duke shtuar se Greqia “nuk ka për të dhënë konsensusin e vet për marrëveshjet eventuale, nëse nuk sanksionohet detyrimi për shpërndarjen e barrës së refugjatëve ndërmjet vendeve anëtare”. Ne nuk do të pranojmë që Greqia të shndërrohet në një depo shpirtrash”, shtoi, duke iu referuar refugjatëve që janë bllokuar aktualiasht në territorin grek.
Tribuna
Ndaje me miqte