Tsipras mirëpret vendimin për samitin e Eurozonës: &ldquoZhvillim pozitiv në rrugën drejt arritjes së marrëveshjes&rdquo
19 Qershor 2015
Qeveria greke ka shprehur optimizëm se në samitin e eurozonës, të hënën e ardhshme, do të gjendet një zgjidhje, pas dështimit edhe të takimit të ministriave të financave të zonës euro.
Kryeministri Tsipras ka përshëndetur vendimin për thirrjen e samitit, duke e cilësuar si një zhvillim pozitiv në rrugën drejt arritjes së marrëveshjes.
“Kemi synuar që negociatat përfundimtare të bëheshin në nivelin më të lartë politik dhe tani po punojmë për suksesin e samitit të së hënës. Gjithë ata që investojnë te kriza dhe skenarët e tmerrit, do të përgënjeshtrohen”, theksohet në një deklaratë të kryeministrit grek.
Tsipras shpreh besimin e vet se, do të arrihet marrëveshje, çka sipas tij do ta rikthejë Greqinë në kursin e zhvillimit dhe brenda monedhës së përbashkët europiane, euro.
Vendimi për samitin e të hënës, u komunikua pasi ministrat e financave të Eurozonës, nuk arritën asnjë progres në takimin e të enjtes në Luksemburg.
Samiti konsiderohet si shansi i fundit që vendi të shmangë falimentimin, pak ditë para se Greqia të përballet me detyrimin e shlyerjes së një kësti prej 1,6 miliardë dollarë ndaj FMN-së.
Ngërçi në negociatat midis Athinës dhe kreditorëve, që u ndërprenë javën e kaluar, si dhe polemikat brenda radhëve të SYRIZA-s, me objekt përplasjen me partnerët apo daljen nga euro, ka shkaktuar një situatë ankthi në Greqi, situatë që ndikon më së shumti në rrjedhjet e depozitave nga bankat vendase.
Vetëm të enjten, në pritje të takimit të eurogrupit, vlera e parave që tërhoqën nga depozitat bankare qytetarët, arriti në 1,2 miliardë euro, duke e çuar në 3 miliardë shumën për katër ditët e para të kësaj jave.
Banka Qendrore Europiane u akordoi të enjten bankave 1,1 miliardë euro nga fondi emergjent i likuiditeteve - ELA, por të premten, bankat pritet t’i drejtohen sërish Frankfurtit, duke kërkuar një tjetër mbështetje në cash, me qëllim që të sigurohet funksionimi normal i sistemit.
Tribuna
Ndaje me miqte