0030 210 33 18 483

Tsipras në Izmir për bashkëpunimin ekonomik por sidomos për refugjatët

08 Mars 2016

Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve greko-turke, kryesisht në fushën ekonomike, do të gjendet në qendër të punimeve të sesionit të 4-t të këshillit të lartë të bashkëpunimit midis të dy vendeve, të martën, në Izmir. Kryeministri grek, Aleksis Tsipras do të shoqërohet nga dhjetë ministra e zëvendësministra të qeverisë së tij. Mes tyre, ministri i jashtëm, ai i ekonomisë, i energjisë, i rendit, i emigracionit, etj. Sipas burimeve qeveritare greke, axhenda do të përfshijë kryesisht çështje lidhur me transportet, tregtinë dhe turizmin. Në këtë kuadër, pritet të nënshkruhet një marrëveshje për ndërlidhjen detare të Selanikut me Izmirin, si dhe lidhjes hekurudhore Selanik-Stamboll. Në të njëjtën kohë do të zhvillohet edhe forumi i biznesit greko-turk, ku do të marrin pjesë 36 kompani dhe institucione greke, kryesisht nga sektorët e turizmit dhe pasurisë së patundshme, të ushqimeve dhe pijeve, të ndërtimeve dhe materialeve të ndërtimit, si dhe të transporteve dhe logjistikës. Punimet e këshillit të lartë të bashkëpunimit do të zhvillohen më pak se 24 orë nga samiti BE-Turqi në Bruksel. Prandaj pritet që dy kryeministrat, Tsipras dhe Davutoglu të diskutojnë më gjerësisht për çështje që lidhen me menaxhimin e krizës së refugjatëve dhe sidomos të shqyrtohet kërkesa greke për zbatimin dhe përshpejtimin e procedurave të ripranimit të emigrantëve të parregullt. Sipas burimeve qeveritare greke, kryeministri Tsipras ka informuar për këtë takim edhe homologun e tij holandez, Marc Rute, vendi i të cilit ushtron presidencën e BE. Rute e ka cilësuar si tepër të rëndësishëm takimin e Izmirit dhe i ka theksuar homologut të tij grek se Tsipras në këtë takim do të përfaqësojë jo vetëm Greqinë, por edhe Bashkimin Europian. Tribuna

Ndaje me miqte