0030 210 33 18 483

Tsipras paralajmëron: Pa ndihmë financiare nuk shlyejmë dot borxhet

23 Mars 2015

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras do të takohet të hënën pasdite në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në një përpjekje për të siguruar mbështetje ndaj reformave që Athina ka thënë se do t’u prezantojë së shpejti partnerëve. Pak orë para kësaj vizite, gazeta Financial Times ka publikuar po të hënën, një letër që Aleksis Tsipras i kishte dërguar kancelares gjermane, më 15 mars, ku e paralajmëronte zonjën Merkel se do të jetë “e pamundur” për Athinën që të shlyejë detyrimet e veta të huarave javët e ardhshme, nëse nuk i jepet një ndihmë financiare afatshkurtër. Kryeministri grek paralajmëron gjithashtu, që nëse kjo ndihmë financiare nuk i jepet, qeveria e tij do të detyrohet javët e ardhshme në një dilemë të vështirë: të shlyejë huatë ndërkombëtare, apo të paguajë pensionet dhe pagat e sektorit publik. “Nisur nga fakti se Greqia nuk ka asnjë akses në tregjet financiare dhe në prag të kulmimit të detyrimeve tona në pranverë dhe në verë, do të duhet të jetë e qartë se kufizimet nga Banka Qendrore Europiane dhe vonesave e kësteve të paketës së shpëtimit, do ta bëjnë të pamundur për qeverinë që të shëbejë borxhin”, paralajmëron Aleksis Tsipras. Kryeministri grek shton gjithashtu se shërbimi me çdo kusht i borxhit, “do të shpinte në një përkeqësim të shpejtë të ekonomisë greke, perspektivë që unë personalisht nuk e mbështes”. Pak para nisjes së kryeministrit grek për në Berlin, të hënën paradite, zëdhënësi i qeverisë greke konfirmoi ekzistencën e letrën së publikuar nga Financial Times. Madje zëdhënësi Gavril Sakelaridis, tha se e njëjta letër u është dërguar edhe liderëve të tjerë europianë, përfshi presidentin francez Hollande dhe kreun e Komisionit Europian, Juncker. Sipas zëdhënësit, letra nuk thoshte asgjë më pak dhe asgjë më shumë nga ç’ka thënë gjatë ditëve të fundit Athina. “Se jemi ngushtë me likuiditetet dhe nevojitet të merren iniciativa politike”, theksoi zëdhënësi. Zëdhënësi shtoi se ishte kjo letër që inicoi mini-samitin e të enjtes në mbrëmje në Bruksel, ku sipas tij “u diskutuan të gjitha çështjet dhe u dha edhe përgjigjja”. Mini-samiti, ku Tsipras diskutoi me kancelaren Merkel, presidentin Hollande dhe krerët e Bashkimit Europian, rikonfirmoi mbështetjen ndaj kryeministrit grek në këmbim të reformave, duke theksuar se Greqia do të marrë kapitale të reja, vetëm pasi të miratohet lista e kompletuar e reformave.

Ndaje me miqte