Tsipras paraqet propozimin për ndryshimet në Kushtetutë
TRIBUNA
26 Korrik 2016
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka prezantuar të hënën në mbrëmje idetë e partisë së tij për ndryshimin e Kushtetutës, duke theksuar se dokumenti i ri konstitucional do të shënojë kalimin në “Greqinë e re të vitit 20021”.
Tsipras ka bërë thirrje për një pjesëmarrje masive në atë që e quajti “dialog i hapur dhe i frytshëm për kushtetutën e re të vendit”.
Propozimet që prezantoi kryeministri grek, konsistojnë në pesë akse dhe kanë të bëjnë me një sërë ndërhyrjesh, të cilat pak a shumë, janë diskutuar gjerësisht kohët e fundit.
Tsipras ka propozuar që në kushtetutën e re të përfshihet mundësia e zgjedhjes së presidentit të vendit, drejtëpërdrejtë nga populli. Por kjo do të mund të bëhet vetëm në rast se parlamenti dështon ta zgjedhë atë në dy votime të njëpasnjëshme.
Gjithashtu, Tsipras kërkon të sanksionohet në kushtetutë që kryeministri i vendit duhet të jetë patjetër deputet i zgjedhur, me përjashtim të rasteve kur kryeson qeveritë e punës.
Një tjetër risi që propozohet, lidhet me mandatin e deputetëve, të cilët nuk mund të zgjidhen për më shumë se dy mandate rresht.
Propozimet që qeveria shpreson të kalojnë në një debat publik, parashikojnë sanksionimin kushtetues të sistemit zgjedhor proporcional, shtimin “e kujdesshëm” të kompetencave të presidentit të republikës, krijimin e një mekanizmi për zhvillimin e referendumeve nga ana e qytetarëve, ndryshime në marrëdhëniet e kishës me shtetin, kontrollin e shtetit mbi resurset si uji dhe energjia.
Siç tha kryeministri grek, qëllimi është që brenda muajit shtator të krijohet një komision i cili do të përpunojë gjithë rezultatet e dialogut publik dhe do t’ua paraqesë partive politike deri pranverën e ardhshme, për të filluar procedurat parlamentare.
“Do të kërkojmë konsensusin aty ku ai është i mundur, por nuk do të kemi frikë të përplasemi”, paralajmëroi kryeministri majtist grek.
Reagimi i opozitës
Mirëpo, në reagimin e saj të parë, partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, ka theksuar se nuk ka për të marrë pjesë në procedura “të pakuptimta”.
“Nëse zoti Tsipras donte vërtetë një kushtetutë të re në një Greqi të re, do të duhej të pranonte propozimin e liderit të opozitës, Mitsotakis, për një përcaktim sa më konsensual të sa më shumë neneve që duheshin rishikuar, me qëllim që populli të vendoste me votën e vet mbi përmbajtjen e ndryshimeve që nevojiten”, nënvizohet në një deklaratë të kësaj partie.
Për kalimin e ndryshimeve kushtetuese në Greqi, nevojiten votat e tre të pestave të 300 deputetëve të parlamentit.
Ndaje me miqte