Tsipras për marrëveshjen BETurqi: &ldquoArritëm më të mirën e mundshme&rdquo
18 Mars 2016
“Ajo që para 15 ditësh ngjante si një projekt i braktisur, sot bëhet një vendim i përbashkët i 28-shes, dhe planet e veprimeve të njëanshme futen në frigorifer”, deklaroi kryeministri grek, Aleksis Tsipras, pas përfundimit të samitit BE-Turqi, të premten në Bruksel.
“Arritëm më të mirën që mundnim të arrinim dhe duhet të punojmë fort për të përballuar krizën e rëndë që po përjetojmë”, tha më tej Tsipras. “Greqia arriti një fitore diplomatike në bashkëpunim me Qipron, për të parandaluar pretendimet absurde të palës turke, e cila donte të përfshiheshin në negociata çështje të problemit qipriot. Bëmë të mundur që pretendimet e Turqisë për hapjen e 5 kapitujve që ka ngrirë Qipro dhe një kapitulli që kemi ngrirë ne, të ikin nga tryeza e bisedimeve”.
“Nuk u mbyllëm në guackën tonë dhe menjëherë të nesërmen e samitit të mëparshëm shkuam në Izmir, dhe kjo vizitë hodhi bazat për vendimin e sotëm. Synuam dhe arritëm një vendim për forcimin imediat të insfrastrukturave, me shtim të personelit në shërbimin e azilit. Ditët e ardhshme do të vijnë në Greqi 2.400 përkthyes, personel i kualifikuar, etj”, vazhdoi kryeministri grek.
Sipas tij, për t’u bërë funksionale marrëveshja, do të duhet të garantohet reduktimi i flukseve të refugjatëve përmes tre filtrave:
1) Goditje e trafikantëve në brigjet turke
2) Të eliminohen pretekstet për operacionet e NATO-s me Turqinë
3) Stimuj të fuqishëm që do të frenojnë refugjatët dhe emigrantët.
“Parakusht për suksesin është që të ruhen flukset e ulëta që kemi ditët e fundit”, shtoi më tej kryeministri grek dhe nënvizoi se prioriteti emergjent për Greqinë është përballimi i krizës humanitare në Idomeni, krizë që siç thga, u krijua nga veprimet e njëanshme të vendeve ballkanike që mbyllën kufijtë.
Kryeministri grek u bëri thirrje edhe një herë refugjatëve të ngujuar në Idomeni që të largohen nga ajo zonë, pasi vazhdimni i qëndrimit aty mbart rreziqe për shëndetin e tyre dhe të vendosen në zona të sigurta që ka krijuar dhe po vazhdon të krijojë qeveria greke.
Tribuna
Ndaje me miqte