Tsipras prezanton programin për ristartimin e ekonomisë
17 Qershor 2016
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka prezantuar një plan ambicioz për ristartimin e ekonomisë vendase, pas shtatë vjetër recesion.
Prezantimi u bë të enjten në mbrëmje, pak orë pasi kreditorët kishin miratuar disbursimin e një pjese të këstit të kredisë për Greqinë.
Me këtë rast, Tsipras deklaroi se këto ditë po mbyllet cikli më i vështirë i programit të shpëtimit dhe se vendi po hyn në fazën e zhvillimit ekonomik.
Plani që prezantoi kryeministri grek, mbështetet në intensifikimin e investimeve publike, duke shfrytëzuar kryesisht fondet e programeve komunitare, si dhe paketën Junker, që parashikon investimin e 35 miliardë eurove në projekte që do të zbatohen në vendet me ekonomi problematike.
Me këto fonde do të realizohen disa projekte madhore në Greqi, si metroja e Selanikut, apo pesë akse të mëdha rrugore, ku punimet ishin ndërprerë prej vitewsh për shkak të krizës buxhetore që pushtoi vendin.
Tsipras ka premtuar se brenda vitit 2016 do të disponohen 6,75 miliardë euro, për të mbështetur ekonominë dhe punësimin.
Tribuna
Ndaje me miqte