Tsipras sulmon FMN: Ka &ldquopërgjegjësi kriminale&rdquo për situatën në Greqi
17 Qershor 2015
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka akuzuar Fondin Monetar Ndërkombëtar se ka “përgjegjësi kriminale” për situatën e rëndë në të cilën ndodhet Greqia. Duke iu referuar negociatave të bllokuara me partnerët, Tsipras ka theksuar që “nëse synimi është që të vazhdojë programi i FMN, që të gjithë në botë e dinë se dështoi, atëherë nuk i lihet asnjë hapësirë zgjedhjeje parlamentit grek”.
Tsipras i bëri këto deklarata të martën në mesditë, duke folur në grupin parlamentar të SYRIZA-s. Gjithsesi, kryeministri grek tha se tani po hyhet në fazën finale të negociatave dhe shtoi se tani po fillon negociimi i vërtetë.
Në të njëjtën kohë, Tsipras tha se pala greke nuk do t’u bindet presioneve dhe shantazheve.
“Jemi të obliguar që mos t’u nënshtrohemi presioneve që nuk do të jepin zgjidhje dhe partnerët duhet të vendosin nëse duan një zgjidhje për problemin grek dhe nëse e dëshirojnë FMN-në si pjesë të marrëveshjes, tha ai.
Më herët Tsipras ishte cituar të kishte thënë se Greqia nuk do të paguante këstin e qershorit, që i detyrohet Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Nuk e paguaj FMN-në nëse nuk do të kemi një marrëveshje të ndershme dhe ristrukturim të borxhit”, sillet t’i ketë thënë Tsipras kreut të partisë To Potami, me të cilin ishte takuar të martën paradite.
Mirëpo, burime qeveritare, të cituara nga agjencia zyrtare e lajmeve, nxituan ta përgënjeshtronin këtë lajm si të pavërtetë.
Ndërsa Aleksis Tsipras po fliste para deputetëve të vet, kancelarja gjermane Angela Merkel, deklaronte se ditët e fundit ajo i është përkushtuar mbajtjes së Greqisë në Eurozonë, “dua të bëj ç’është e mundur” për këtë, tha kancelarja gjermane gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.
“Fatkeqësisht, nuk ka shumë lajme të reja për Greqinë dhe prandaj biseda jonë për këtë temë ishte e shkurtër”, tha Merkel dhe shtoi: “ ?ështja është që Greqia të realizojë reformat e domosdoshme. Prandaj tashmë nevojitet përqendrim i plotë dhe mundësisht tre institucionet (KE, BQE, FMN), të dakordojnë me Greqinë. Nëse kjo do të ndodhë të enjten, nuk mund ta them”, përfundoi kancelarja gjermane.
Të enjten, më 18 qershor, ministrat e financave të eurozonës do të takohen në Luksemburg, në një takim që ishte konsideruar si vendimtar për Greqinë. Mirëpo, pas ndërprerjes së negociatave të dielën, agonia e Athinës do të zgjatet të paktën deri më 30 qershor. Veç nëse ndërkohë ndodh një mrekulli, gjë që për rastin konkret konsiderohet thuajse krejtësisht e pamundur.
Ndaje me miqte