Turqi: 10 ushtarë dhe 8 civilë të vrarë nga sulmi kamikaze
09 Tetor 2016
10 ushtarë dhe 8 civilë janë vrarë nga një sulm me makinë-bombë nga ana e militantëve kurdë, afër një postoblloku ushtarak në pjesën juglindore të Turqisë. Po ashtu, janë plagosur 11 ushtarë dhe 16 civilë.
Gjatë një konference për shtyp, të dielën në Stamboll kryeministri turk, Binali Yildirim, tha se sulmi ishte kryer nga “bombarduesi vetëvrasës, i cili e aktivizoi një makinë me 5 tonelata eksploziv”.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu, duke u mbështetur në Forcat e Armatosura të Turqisë, raportoi se sulmi kishte ndodhur afër një pike të kontrollit ushtarak, disa kilometra nga qyteti Semdinli, në provincën Hakari, dhe ishte vepër e kryer e Partisë Puntore të Kurdistanit (PKK), që në Turqi është jashtëligjore.
Prej verës së kaluar, Turqia është goditur nga një valë e sulmeve me bomba, nga të cilat janë vrarë qindra njerëz dhe për këto sulme është fajësuar PKK-ja ose grupi ekstremist, Shteti Islamik.
Pas ndërprerjes në verën e vitit të kaluar, të armëpushimit ndërmjet forcave turke dhe luftëtarëve të PKK-së, që kishte zgjatur dy vjet e gjysmë, janë vrarë më se 600 pjesëtarë të forcave të sigurisë turke dhe mijëra luftëtarë të PKK-së.
Ndaje me miqte