0030 210 33 18 483

Turqia e ndarë në prag të refendumit

Zeri i Amerikes 14 Prill 2017

Turqia është e ndarë disa ditë para zhvillimit të një referendumi historik që synon një sistem të ri politik. Mbështetësit e tij thonë se ndryshimi do të sjellë stabilitet, shumë i nevojshëm për Turqinë sipas tyre, ndërsa kundërshtarët kanë frikë se referendumi do ta çojë Turqinë drejt një qeverisjeje autokratike. Votuesit do të vendosin të dielën të miratojnë ose jo një paketë prej 18 ndryshimesh kushtetuese për të zëvendësuar sistemin parlamentar me një sistem presidencial, duke hequr postin e kryeministrit dhe kalimin e kompetencave të tij presidentit. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i cili udhëheq fushatën për një votë "pro" këtyre ndryshimeve thotë se sistemi i presidencial, do t’i japë fund qeverive të dobëta, do të krijojë një sistem efikas shtetëror dhe do ta çojë vendin drejt përparimit. Kritikët argumentojnë se reformat do t’i krijojnë mundësinë Erdoganit, i akuzuar për shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, të qeverisë të paktën deri në vitin 2029 shumë pak i kontrolluar për shkak të një sistemi që nuk parashikon ndarje të qartë mes pushteteve. "Ky është pak a shumë një variant i zgjerimit të pushtetit sikurse në rastin e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Por në këtë rast më pak i kontrolluar dhe i balancuar", thotë Ahmet Kasim Han, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has të Stambollit. Referendumi vjen në një kohë të vështirë për Turqinë, të goditur nga një valë shpërthimesh, rikthim të përlesshjeve mes forcave qeveritare dhe rebelëve kurdë dhe një përpjekjeje për grusht shteti që dështoi dhe që çoi në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Qeveria e shfrytëzoi gjendjen e jashtëzakonshme për të goditur ashpër përkrahësit e e klerikut mysliman Fethullah Gulen që jeton në Shtetet e Bashkuara. Turqia e fajëson atë si dhe kundërshtarë të tjerë të qeverisë për grushtin e shtetit. Rreth 100.000 persona janë larguar nga puna si dhe më shumë se 40.000 të tjerë janë arrestuar. Vendi gjithashtu po përpallet me luftën në vendin fqinj Siri, që çoi në një fluks prej rreth 3 milionë refugjatësh. Turqia dërgoi trupa në Siri në mbështetje të forcave opozitare siriane me qëllim pastrimin e zonës kufitare nga kërcënimi që vjen prej militantëve të Shtetit Islamik. Marrëdhëniet jo të lehta me Evropën sollën një shpërthim të Erdoganit që i etiketoi qeveritë e Holandës dhe Gjermanisë si "naziste", kjo pasi dy ministra të qeverisë turke u penguan të mbanin takime me diasporën turke, në mbështetje të referendumit. Takimet në Gjermani u anuluan nga autoritetet lokale për arsye sigurie. Një votë PO në referendum do t’i jepte fuqi presidentit të emëronte ministra, zyrtarë të lartë, të emëronte gjysmën e anëtarëve të organit më të lartë gjyqësor të vendit, të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe të nxirrte dekrete. Sistemi presidencial ka qenë një ëndërr e kahershme e Erdoganit. Ai u zgjodh president në vitin 2014 për një mandat pesë vjeçar dhe luajti një rol shumë më aktiv në politikë se sa paraardhësit e tij duke ushtruar pushtet në prapaskenë, pavarësisht kushtetutës që i kërkon atij të jetë i paanshëm. Nëse reforma miratohet ajo do të legalizojë de-facto sundimin e tij. Në çdo tubim për referendumin Erdogani ka argumentuar se sistemi i ri do t’i jepte fund periudhës së qeverive dhe koalicioneve të paqëndrueshme, do të parandalonte grushtet e shtetit të ngjashme me përpjekjen e dështuar të vitit të kaluar si dhe përplasjen mes pushtetit të kryeministrit dhe presidentit. Opozita është ankuar për një fushatë të padrejtë, për shkak të mbizotërimit kudo në rrugë të fotove të Erdoganit dhe propagandës së tij pro ndryshimeve kushtetuese, duke përdorur burimet shtetërore. Partia Republikane Popullore, forca kryesore e opozitës, ka regjistruar më shumë se 100 incidente që kanë synuar të pengojnë fushatën e saj, ku përfshihen kërcënime, rrahje dhe burgosje të paligjshme. Nëse referendumi miratohet, ai do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara të mbahen në vitin 2019.

Ndaje me miqte