Tusk: Anëtarët e tjerë të BEsë të vendosur për të qëndruar bashkë
24 Qershor 2016
BRUKSEL, 24 qershor /ATSH-DPA/ - Liderët e 27 vendeve të tjera anëtare të BE-së janë të vendosur të mbeten të bashkuar pas vendimit të Britanisë së Madhe për t’u larguar nga blloku, deklaroi sot president i BE-së, Donald Tusk duke kërkuar kujdes me reagimet histerike.
Një shumicë prej rreth 52 për qind e votuesve britanikë zgjodhën largimin nga BE-ja, në një referendum të zhvilluar dje duke u bërë kështu vend i parë që largohet nga blloku i 28 anëtarëve.
“Sot, në emër të 27 liderëve të BE-së, mund të them se mbetemi të vendosur për të qëndruar të
bashkuar si 27-ëshe”, tha Tusk duke shtuar se kishte folur me secilin prej tyre ditët e fundit.
”Të 27 liderët do të zhvillojne bisedime jozyrtare pa praninë e kryeministrit, David Cameron në një samit që do të mbahet në Bruksel javën e ardhme”, shtoi Tusk duke theksuar se do të
propozonte një reflektim më të thellë për të ardhmen e bllokut.
”Nuk do të ketë boshllëk ligjor në Britaninë e Madhe”, tha Tusk.
“Deri në finalizimin e largimit zyrtar të Londrës, legjislacioni i BE-së do të vazhdojë të zbatohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe me këtë dua të them të drejtat dhe detyrimet”, theksoi ai.
Ndaje me miqte