Tusk në Athinë shpreh mbështetjen ndaj Greqisë për krizën e refugjatëve
03 Mars 2016
“Në krizën e refugjatëve Greqia ka marrë përsipër faktikisht një barrë që është në përpjestim të zhdrejtë me mundësitë e veta”, ka deklaruar kryeministri grek Aleksis Tsipras pas takimit në Athinë me kreun e Këshillit Europian, Donald Tusk. “Reagimi ynë ishte i shkëlqyer dhe ka të bëjë me obligimin tonë kundrejt vlerave dhe qytetërimit tonë”, shtoi Tsipras.
Kryeministri grek nënvizoi se takimi me zotin Tusk u zhvillua ndërsa ka një kufizim drastik të kalimit të refugjatëve nga itinerari ballkanik dhe disa prej vendeve anëtare të BE-së nuk pranojnë të bëjnë detyrën në procesin e ristabilizimit të refugjatëve.
Tsipras kërkoi respektimin e marrëveshjeve dhe vendimeve të organeve të larta europiane nga ana e vendeve anëtare dhe shtoi se Athina kërkon sanksione për vendet që nuk i respektojnë këto marrëveshje.
“Greqia pret që BE të konsifrmojë se vendi ynë nuk mundet të mbetet i vetëm në këtë krizë dhe se duhet të funksionojë urgjentisht ristabilizimi i refugjatëve, në kushte dinjiteti”, tha Tsipras.
Por ai theksoi se Greqia do të vazhdojë të mos i ndalojë varkat me refugjatë që të mbërrijnë në brigjet greke. “Nuk do të bëjmë veprime parandaluese në det, duke vënë në rrezik jetën e grave dhe të fëmijve”.
Kryeministri grek tha më tej se në samitin e 7 marsit midis BE dhe Turqisë duhet të miratohen masat që duhet të marrë Ankaraja për t’u reduktuar flukset e refugjatëve. Gjithashtu kërkoi zbatimin e një politike konkrete nga ana e BE-së për lkthimin e emigrantëve të parregullt në vendet nga kanë ardhur.
Tsipras tha se të martën e ardhshme, më 8 mars, do të vizitojë Izmirin, për takimin e katërt të nivelit të lartë Greqi-Turqi dhe ku një nga temat kryesore që do të diskutojë me homologun turk Ahmet Davutoglu, çështjen e refugjatëve.
Nga ana e vet, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, theksoi se “BE nuk do ta braktisë Greqinë. Nuk do ta lerë vetëm”. “Duhet të shmangim përçarjet brenda BE-së. Aktet e njëanshme dëmtojnë shpirtin e solidaritetit europian”, tha Tusk.
“Largimi i Greqisë nga Shengeni nuk e zgjidh problemin. Greqia mbetet pjesë e Shengenit dhe e Eurozonës”, theksoi presidenti i Këshillit Europian.
Tusk u shpreh në një mendje me kryeministrin grek për çështjen e reduktimit të flukseve që mbërrijnë nga Greqia, ndërsa u bëri thirrje emigrantëve që mos të marrin rrugën për në Europë: “U bëj thirrje emigrantëve të parregullt: Mos ejani në Europë, mos u besoni trafikantëve”, apeloi Tusk.
Tribuna
Ndaje me miqte