U nda nga jeta Konstantinos Mitsotakis
Tribuna
29 Maj 2017
Eshtë ndarë nga jeta në moshën 99 vjeç, Konstantinos Mitsotakis, një nga figurat më emblematike të politikës greke. Lajmi për vdekjen e tij u publikua nga familja, pak para orës 02,00 të mesnatës së të hënës. “Sot, në orën 01,00, Konstantinos Mitsotakis u largua nga jeta, i rrethuar nga njerëzit që i donte dhe e donin”, thuhet në njoftimin e familjes.
Për gati 60 vjet jetë aktive në politikë, Mitsotakis shërbeu si deputet, kryetar partie, ministër dhe kryeministër. Ai konsiderohej si përfaqësuesi i fundit i një brezi politikanësh që shënuan jetën e vendit në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë.
Pinjoll i një familjeje politikanësh (gjyshi dhe babai), Konstantinos Mitsotakis u lind në Hania të Kretës, më 18 tetor 1918. Studioi për shkenca juridike dhe politike në Universitetin e Athinës dhe kreu studimet pasuniversitare në Gjermani.
Gjatë luftës së dytë botërore, për shkak të aktivitetit të tij në rezistencën antifashiste, u burgos dy herë, ndërsa u nderua me medalje nga Greqia dhe Anglia.
Në vitin 1946 u zgjodh për herë të parë deputet i Haniasë.
Në vitin 1951 u emërua zëvendësministër i financave.
Mitsotakis luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike në fillim të viteve 1960, kur kishte kaluar në partinë Unioni i Qendrës (themeluar nga Jorgos Papandreu, babai i Andreas, që do të bëhej më vonë kryeministër i Greqisë dhe rival i betuar i Mitsotakisit; një përplasje që nisi nga viti 1964).
Me ardhjen në pushtet të juntës së kolonelëve (21 prill 1967), arrestohet, por 8 muaj më vone lirohet për shkak të një amnistie) dhe largohet për në Francë, ku jeton me gjithë familjen deri në përmbysjen e juntës ushtarake.
Në zgjedhjet e para demokratike, të nëntorit 1974, nuk arrin të zgjidhet deputet, por e realizon këtë në 1977, kur u zgjodh si përfaqësues i partisë së Neoliberalëve, që sapo kishte krijuar.
Në 1978, kalon te Demokracia e Re dhe në 1984 zgjidhet kryetar i kësaj partie.
Në prill 1990 udhëheq Demokracinë e re në fitoren e zgjedhjeve, por jo dhe me shumicën e mjaftueshme për të krijuar qeveri. Por ia arrin kësaj, pasi merr mbështetjen e deputetit të vetëm të një partie të vogël, dhe krijon qeveri me 151 deputetë.
Si kryeministër, e drejton vendin për tre vjet e gjysmë. Kjo periudhë përkon me dyndjen e shqiptarëve drejt Greqisë në 1990-1991. Në janar 1991 ai është i pari kryeministër i një vendi perëndimor që viziton Shqipërinë e cila qeveriset ende nga komunistët. Në Tiranë vjen edhe një vit më vonë, në maj 1992, pas zgjedhjes së Seli Berishës në postin e presidentit.
Në gusht 1993, qeveria e Mitsotakis humbet shumicën parlamentare për shkak të largimeve të deputetëve që shkojnë te partia e porsakrijuar nga ish ministri i i jashtëm, Antonis Samaras. Në zgjedhjet e parakohshme, që mbahen në shtator, zgjedhjet fitohen nga socialistët e PASOK-ut dhe Mitsotakis jep dorëheqjen si kryetar i partisë.
Megjithatë, në vlerësim të kontributeve të veta, ai zgjidhet kryetar nderi i Demokracisë së Re.
Në janar 2004, pas plot 58 vjetësh prezence në parlament, Konstantinos Mitsotakis njofton vendimin e tij që t’i jap fund aktivitetit të tij parlamentar dhe deklaron se mbetet aktiv në politikë.
Konstatinos Mitsotakis është babai i kryetarit aktual të Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis dhe i ish kryetares së Bashkisë së Athinës dhe ish ministre e jashtme, Dora Bakojanis.
Ndaje me miqte