0030 210 33 18 483

Uashingtoni: Shenja pozitive nga Greqia e nevojshme një marrëveshje për reformat

08 Qershor 2015

Greqia ka qenë një nga temat në takimin që kanë zhvilluar kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti amerikan, Barack Obama. Sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest, të dy palët ranë dakord se “është e rëndësishme për Greqinë dhe për partnerët që të hartojnë një rrugë që të ndërtojë mbi bazën e reformave kruciale strukturuese dhe rikthen Greqinë në një kurs afatgjatë zhvillimi ekonomik”. Madje, Earnest shprehu kënaqësinë e SHBA-ve, ngase, siç tha, “kemi parë shenjat analoge nga qeveria greke”. Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë e pranoi se ekziston një afat për arritjen e marrëveshjes, afat që po afrohet në mënyrë kërcënuese, dhe prandaj presidenti Obama “shpreson se Greqia dhe partnerët do të mundin të hartojnë një rrugë që nuk do të shkaktojë më shumë destabilitet në tregjet financiare ndërkombëtare”. “Presidenti shpreson që kjo të evitohet nëse të gjitha palët përfshihen në një diskutim produktiv dhe arrijnë në një zgjidhje që të jetë në interes të të gjithëve”, shtoi zëdhënësi Earnest. Sipas burimeve që u referohet e përditshmja greke, “Kathimerini”, presidenti i SHBA është i predipozuar që të ushtrojë presion sa te kancelarja Merkel, edhe te shefja e FMN, Christine Lagarde, me qëllim që ato të tregojnë pragmatizëm në negociatat me Greqinë. Presidenti Obama parashikohet që të ketë një tjetër takim dypalëshe me mikpritësen e samitit të G7, zonjën Merkel ditët e ardhshme, ku gjithashtu pritet të diskutohet tema e Greqisë. Në varësi të zhvillimeve. Burime të administratës amerikane, të cituara nga “Kathimerini”, vënë në dukje se Obama nuk dëshiron ta sjellë Merkelin në pozitë të vështirë, duke bërë që tema greke të dominojë kundrejt axhendës së samitit, e cila përfshin prioritetet më të mëdha të politikës së jashtme amerikane, për të cilat SHBA kanë nevojë bashkëpunimin e Gjermanisë.

Ndaje me miqte