0030 210 33 18 483

Ulenshpigeli dhe robët me kulturë...

08 Shkurt 2016

Nga Dr. Evriviadhi GORO “E shkëlqyer demokracia është atje ku nuk ekziston mundësia të rrëmbejnë pushtetin persona të pandershëm”. (Pitakós,-politikan i lashtësisë nga Mitilini) Pa koment mbi (zh)drejtësinë... Shkas për këtë shkrim ishin dy lajme,-aspak sensacionale,- publikuar ditët e fundit: 1. Masakra në Elbasan, A do të dalin vrasësit para drejtësisë? 2. Në Fier u arrestua një “fëmijë” 17 vjeçar, që përpiqej të nxirrte nga Shqipëria një grua (të “vockël!”) 19 vjeçare për prostitucion!”. Lajmi nuk jepte hollësira, si bie fjala, femra, ishte vullnetare apo e grabitur! Këto do të na i thonë më vonë, në se gjykata do të ketë thënë fjalën e vet për kriminelët, që shijnë, të lirë, anemabnë Shqipërisë. Këto ndodhin, kur griihet ujë në havan për reformon e gjyqësorit. Me trumbeta e tam-tame, flitet se do të kemi “përkundje”(jo lëkundje!) në Drejtësi. Dhe tamam në këtë valë, ministri z. Tahiri, deklaron, në Vlorë:”Policia arreston kriminelët dhe gjykata i liron!” Nuk e kuptoj,- ankohet apo nuk e njeh detyrën e gjykatave te ne. Sipas mendimit tim, gjykatat nuk kanë punë me mohimin e lririsë kushtetuese të personit, por me mbrojtjen e saj! Policia, ç’ duhet të bëjë? Të ndjeki ata që nuk kanë në mendje të bëjnë krime! Kriminelët “kanë të drejta dhe detyra...” Për këtë gjyqësor kasta e politikanëve harxhoi plot 25 vjet ta ndërtojë e ta koracojë. Këtë kështjellë, vetëm ta përkundësh nevojitet një tërmet i vogël, ndërsa për ta lëkundur, nevojitet tërmet...9 ballësh!, gjë që nuk parashikohet. Një ditë, në kafene, më zunë veshët një bisedë të... “pa rëndësishme”(?): Një 70 vjeçar ishte kapur të drejtonte motoçikletën pa dokumentat përkatëse. U dënua dy vjet burg me kusht dhe detyrimin të paraqitet çdo javë në një zyrë të posaçme në Vlorë, 76 km larg, kur policinë e ka 10 hapa nga banesa. Një nga ndërmjetësit, “i padukshëm” i dukshëm -(fjala ndërmjetës është futur në fjalorin e Gjuhës këta 25 vjetët e fundit),-që i bënte shoqëri në tavolinë,- , i tha: -Vetë e ke fajin, se nuk u solle mirë me ata... I dënuari: -Pse, si duhej të sillesha? Unë kisha bërë shkelje dhe me të drejtë më dënuan. Ndërmjetësi tundi kokën: -Ti e di se ç’ duhej të bëje, atë që bëjnë të gjithë ata që e kanë mendjen në vënd, por shtiresh sikur s’ e di... Kreu i opozitës,- nëse është kreu,- ka tre vjet që i kanë hedhur rrënjë në “rrënjët” e gjuhës, vetëm tri fjalë: “TE RREZOJME QEVERINE”! Me rrëzimi e saj, dielli nuk do të lind e perëndojë, por do të ndrijë dit’ e natë në qiellin e Shqipërisë!... Mundet? PD, që u mbulua me lavdit’ e piramidave dhe gati vëllavrasjet e 1997-s, gjakderdhjen e Gërdecit dhe 21 të Janarit të përgjakur, pa harruar kështjellën e pa pushtueshme të drejtësisë, që me aq kujdes e ngriti, e çoi vendin në shkallën më të lartë të... begatisë, materiale dhe shpirtërore... Për këto qeveria aktuale, me heshtjen, bëhet bashkautore. Pra opozita ato që duhej të bënte kur kishte pushtetin në... këmbë, i bëri. Tani ka zgjedhur rrugët dhe nesër, mbase dhe malet.. Të vërteta të... rreme “Varfëria është prindi i revoltës dhe i krimit”. (Aristoteli). “Politika dhe mafia janë dy pushtete, që synojnë mbi kontrollin e të njëjtës hapësirë. Ata bëjnë luftën midis tyre, ose merren vesh shumë mirë”. (Paolo Borselino*) Fukarallëku, thuhet. se është në nivele të frikshme! Në një reportazh keqdashës, transmetuar ditën e premte, 5.2.2016, pamë skena rrëqethëse, nga jeta e familjes Curraj, në Vlorë. Nuk e pashë të gjithë,- më rrodhën lotë dhe ndjeva shtrëngim në gjoks. Gjëra të tilla nuk duhen publikuar, se athere biem ndesh me atë që thotë...politika: “Ne jemi të begatë!”. PO! Vilat dhe hotelet luksoze të mafias mbijnë si këpurdha anembanë vendit, sidomos në Bregdet, ku zotërit e ligjshëm të Tokës, janë shpronësuar dhe detyrohen të marrin “arratinë.” Bregdetasit e kanë kthyer, gjatë shekujve, vendin e tyre,- shkëmbinjë e gurë,- në parajsë, duke derdhur pa kursim, djerrës dhe gjak, si askush tjetër në Shqipëri. Ata i tregonin Perandorisë më të frikshme, gjoksin dhe tehun e shpatës, duke i prerë rrugën për t’ i poshtëruar. Tabloja, që qëndron e varur në sallat e muzeut të Luvrit,-kryeministri ka të ngjarë ta ketë parë,- është kuptimplote. Piktori anonym, ka paraqitur një luftëtar Himariot, më këmbë dhe me shpatën e shtrirë përpara, në majën e së cilës duken disa monedha. Dhe poshtë saj, lexohet thelbi, në adresë të sulltanit: “eja të marrësh haraçin!” Dhe sot, këtë Tokë, parazitë të çdo kallëpi, e mbajnë peng për ta gllabëruar. Këta banorë, të vetmit pas Gjergj Kastriotit, që detyronin sulltanët të ulnin armët e të ktheheshin prapa, për gati katër shekuj, janë kthyer në emigrantë në vendlindjen e tyre. Politikanët, në vend që të mburen me historinë e Himarës,- e vetmja e shkruar jo me bojë, por me gjak,- pronarëve të ligjshëm, u kanë vënë këmbën në fyt. Por deri kur? Bregdetasit janë popull krenar, nuk ka në ADN-në e tyre genin vrasës dhe dhunën. Janë njerëz që u binden ligjëve dhe Kushtetutës, punëtorë e të ndershëm. Nuk është njerëzore, veç, të shfrytëzohet korrektësia e tyre për qëllime të zeza. Të drejtat e “robit me kulturë” “Qytetar është ai, që që është i aftë të qeverisë dhe të qeveriset” (Aristoteli). Tani që diskutohet shumë për reforma e ndryshime, por që populli nuk merr vesh se ç’ bëhet,-bisedimet janë të fshehta, thashethemet të hapura,- politikanët u janë kthyer gazetarëve, të cilët kohët e fundit, kanë filluar të ngrejnë zërin për prapësitë dhe paligjësinë, që po mbytin vendin. Mediat e shkruara dhe ekranet e TV janë shpirti dhe zemra e demokracisë, që për fat të keq, akoma te ne është një foshnjë, që nuk po i hiqen “shpërgënjët”. Kryetarët e partive politike janë diktatorë të vegjël, të kujdesshëm për veten, por jo për vendin.. Kuptimplot është udhëzimi i ministrisë së Kulturës, pas skandalit me gazetarin në TK. Në atë udhëzim thuhet: “çdo “rob me kulturë”, që i teket të rrahi jë gazetar, duhet ta pyesi më parë në se është në punë apo pushim në atë çast e, më pas te veprojë” (ta rrahi ose ta v...).Lexojeni me kujdes, këtë të drejtë të “robit me KULTURE!” Ministri vet, vall, është rob me kulturë?! Po ka dhe një koment për rastin, po nga ajo ministri: “Gazetari (që është rrahur) nuk ka qënë në detyrë, e ka merituar dajakun dhe... drejtori ... ka bërë detyrën me kulturë të madhe!” “Kulturë të madhe, kot e ka cilësuar, se dihet që drejtorët sot nuk janë fare pa kulturë....Gazetarët të kenë mendjen në vend,-mund të jenë gazetarë vetëm 8 orë në ditë! Ministria e Kulturës këtë udhëzim,- që unë e quaj “revolucion i mendjeve të (ç)ndritura” në shërbim të rendit politik..., -oh, vërtetë ç’ farë rend politik kemi? Më ndihmoni,- mund t’ a rekomandojë, për afishim, në Tabelën e Emulacionit Socialist?!?! Them se e vlen, se udhëzimi nuk është larg asaj kohe, kur ndëshkimi më i rëndë ishte për axhitacjon dhe propagandë kundër Pushtetit. O gazetarë të mjerë, kujdesuni për veten t’ uaj... Të mos harrojmë se vet ky udhëzim, është tulla më e madhe, që mund të ngjitet në murin e ... re-marrrës në (zh)drejtësi. Kryeqeveritari takimet me kryeparlamentarin, për punën e drejtësisë, i bëjnë në zyrën e këtij të fundit, i cili, me sa mund të gjykohet, veç përvojës së madhe për drejtësinë në fjalë, që i dha faqebardhësinë..., mban kartat e lojës, duke bërë shantazh, si ai prift, që kur u ndëshkua, vuri në kukë çallmën, në vend të kamillafit... Dhe i pari ri sus!, se, ndryshe, i thyhet karikja. “Nëse në një marrëveshje dy njerëz janë në një mendje për të gjitha, athere njeri prej tyre, është i padobishëm. Në se kanë mendime të kundërta për gjithëçka, athere të dy janë të padobishëm” (Danil Zanick). Reforma në Drejtësi do të bëhet. Me siguri do të moderohen uniformat e gjyqtarëve, do të rimobilohen zyrat dhe do të rriten...rogat. Mjekra e kadiut do të ritet edhe më. Të tjerat,- ashtu si janë. Gjyqësor më të mirë se ky, që kemi ne, nuk e gjen në asnjë vënd tjetër të botës. Aq më tepër shtohen shpresat për reformën në dukjen e drejtësisë, tani, që partia, që mbahet në pushtet nga kllounët e partisë së vogël,- e majta, e kthyer djathtas, e përsëri e kthyer majtas dhe përsëri do të ...-, do të quhet, parti laburiste (kryetari e tha ndryshe,-ecim “sipas shembullit të partisë Laburiste”, por kjo nuk e prish thelbin e ëndërrës...) Mund të kenë ngjashmëri, por i ndan një largësi e madhe dhe, edhe duke u ngritur më “këmbë”, përqafimi ... duket i pamundur. Ulenshpigeli dhe dobiçët Ndërsa po shkruaja këto rreshta, dëgjova ish kryeministrin që çirrej në parlament për demokracinë e vërtetë gjatë sundimit të tij, për paqen dhe begatinë, (nuk i thoshte tamam kështu, por me stil pak më fin). Më vinte të qesh e të qaj. Dhe mendova: A e ka marrë vesh njeri se për çfarë reforma, për çfarë ndryshime na përrallisin politikanët tanë? Dikur, në Gjermani, jetonte një njeri me emrin Ulenshpigel*). I ishte hapur nami se bënte piktura murale të mahnishme. Fjalët i vanë në vesh një baroni, që donte të zbukuronte muret e kështjellës së vet. E thirri piktorin e famshëm dhe i tregoi punën që duhej t’ i bënte. Ulenshpigeli i vuri këtë kusht: për gjashtë muaj nuk do të hynte njeri në kështjellë dhe ushqimin do t’ ia çonin në një dhomë jashtë vëndit të punës. Në mbarim të afatit, njoftoi baronin se kishte mbaruar gjithçka. Por të ftuarit në përurim, duhej më parë të grumbulloheshin në oborrin e kështjellës, t’u thoshte ca fjalë dhe pastaj të hynin për të parë mrekullinë. Kështu u bë. Dhe ai, doli te porta dhe u thotë: - Punimet e mia do t’iu lënë gojë hapur. Por më duhet t’ iu paralajmëroj,- pikturat e mia të mrekullushme, ata që janë dobiçër, nuk do t’ i shohin dot. Kurse ata që nuk janë dobiçër, por me nënë e baba të ligjshëmë, do t’ i shikojnë dhe do të kënaqen. U tëhoq dy çapa dhe hapi të dy fletët e portës. Të ftuarit u sulën brenda dhe habiteshin me ato që shihnin. Kjo punë zgjati me orë. Njeri prej tyre, më në fund, humbi durimin. Fshiu djersën e ballit dhe thirri: - Perëndia të më ndjejë. Unë jam dobiç. Nuk shoh gjë, veç suvasë së bardhë të mureve... Atëherë u përmendën të gjithë, pranuan se ishi dobiçër, me që edhe ata nuk shihnin gjë, por u vinte turp të flisnin, se mos zbulohej dobiçëria e tyre. Sapo u përmendën, si të tërbuar, kërkonin mashtruesin ta linçonin. Po ku ta gjenin? Ai, i ngopur dhe me xhepin plot, ishte zhdukur përgjithnjë nga horizonti i tyre, i gatshëm për “pikturime” të tjera... Neve nuk mund të na quajnë dobiçër. Ulenshpigelët tanë janë aq shumë, sa që asnjë reformë nuk është në gjëndje të mbërthejë, qoftë edhe njëckë të vetëm... Për fund: “... Populli heshtte dhe asnjë nuk fliste, sepse ishte i frikësuar dhe shikonte se komplotuesit ishin shumë.” (Tukididhi). *) Til Ulenshpigel, personazh i folklorit gjerman, qe personifikon aventurierin mashtrues e finok. Përallat me protagonist Ulenshpigelin i gjejme, perveç Gjermanisë edhe ne vende të tjera të Europës qendrore **) re- marrëz = lojë fjalësh:- re marrëzie (siç themi p.sh., re tymi).

Ndaje me miqte