0030 210 33 18 483

Vazhdojnë hetimet rreth atentatit kundër ish kryeministrit Papademos

Tribuna 26 Maj 2017

Autoritetet greke kanë kaluar në gjendje alarmi pas atentatit të djeshëm me një zarf bombë, kundër ish kryeministrit Lucas Papademos. Media vendase citon burime të shërbimit antiterror, sipas të cilëve detonatori dhe lënda eksplozive ishin vendosur brenda një libri, në faqet e të cilit ishte krijuar një gropë. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që zarfa të ngjashëm t’u jenë dërguar ditët e fundit edhe politikanëve të tjerë, por edhe biznesmenëve. Që nga mbrëmja e djeshme ka nisur një kontroll i hollësishëm në zyrat postare dhe kompanitë curier, për të gjitha zarfat dhe paketat që u janë postuar ditët e fundit emrave të njohur të jetës politike dhe ekonomike të vendit. Të njëjtat kontrolle po bëhen edhe në institucionet shtetërore, bankat dhe kompanitë e mëdha të biznesit. Në të njëjtën kohë, mbetet pa përgjigje pyetja se si ishte e mundur që zarfi bombë i adresuar për ish kryeministrin, arriti në duart e tij, ndërsa kishte kaluar në të paktën dy kontrolle dhe nuk kishte rezultuar i dyshimtë. Autoritetet po hetojnë nëse janë ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara. Lucas Papademos gëzonte ruajtjen nga policia, jo vetëm pse kishte shërbyer si kryeministër i vendit, por edhe pse konsiderohej si objektiv i një atentati të mundshëm. Emri i Papademos është përmendur shpesh në traktet e organizatave guerrile greke, kur ato kishin marrë përgjegjësinë për atentatet që kishin kryer. Sipas autoriteteve, korrespondenca e gjithë personave që ruhen nga policia, kontrollohet më përpara në aparate të posaçme, nga persona të specializuar. Një version i pakonfirmuar zyrtarisht është që zoti Papademos ta kishte marrë zarfin bombë në akademinë e shkencave dhe arteve të Athinës, i së cilës është kryetar. Akademia nuk ka pajisje për kontrolle të tilla. Më shumë dritë mbi ngjarjen mendohet se do të hedhë vetë Lucas Papademos, atëherë kur do të jetë në gjendje të deponojë para hetuesve të çështjes. Gjithsesi, gjendja e tij shëndetësore është raportuar mëngjesin e të premtes si e qëndrueshme dhe pa asnjë rrezik për jetën.

Ndaje me miqte